Transmetuar më 19-02-2020, 13:42

Kryeministri Edi Rama është ndalur ditën e sotme në familjen e Naim Myftarit, e cila është strehuar në një banesë të re.

Në bisedë me kryefamiljarin, Rama i ka thënë se “Ta mbash mirë gruan se ti pa këtë je si shpia pas tërmetit, me këtë je si shpia e re. Ta mbash me shëndet. Hall i madh, s’ka punë, s’ka punë. Me gjithë këtë rindërtim, problemi më i madh janë punëtorët. Duan punë në shtet se do rrogën pa punë”.

Rama tha se të gjitha shtëpitë do të bëhen, por se nuk mund të bëhen menjëherë.

“Kështu do bëhen të gjitha, një për një. Ata që janë në fshat, që janë dhe më keq pasi janë në çadër, sepse nuk e lënë dot tokën, atyre do t’i bëjmë shtëpi të parëve. Ata do të hyjnë në shtëpi brenda vitit, ose do të jenë duke parë shtëpinë duke mbaruar brenda vitit. Pastaj gradualisht të tjerët, sepse ato brenda qytetit duan projekte të mëdha se janë apartamente”, u shpreh Kryeministri.

Më tej duke folur me të zonjën e shtëpisë e cila i tha se uron që ta ketë këmbën e mbarë, ai i dha dy dhurata për nipërit të zonjës së shtëpisë ai tha se “Këto i keni nga Zaho, por mos i hapni se ia humbi kënaqësinë. Unë me zemër kam ardhur, e kam të mbarë apo jo nuk e di, të gjatë e kam”.

Familja e Naim Myftarit në Sauk të Tiranës, e mbetur në qiell të hapur pas tërmetit të shtatorit të vitit të kaluar, ka rinisur përditshmërinë e saj në shtëpinë e re. /a.y/noa.al