Haradinaj, Kurtit: Mos e hiq taksën, ofro kontratë për njohje reciproke në kufijtë ekzistues
Transmetuar më 19-02-2020, 14:39

Ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i shkruan Kryeministrit Albin Kurti, ku i kërkon që të mos e heq taksën e vendosur për produktet serbe dhe boshnjake.

“Albin, ke oferuar heqjen e taksës, e po të ofrohet kthim në procesin dialogues, tashmë të konsumuar e komprometuar. Mos e heq taksën për rikthim në proces të konsumuar e komprometuar, por oferto për kontratë finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues”, shkruan Haradinaj.

Ai shton se Kosova i ka dakorduar tri të drejta: Asociacionin në bazë të Kushtetutës, të drejta të zgjeruara për komunitetin serb sipas orientimit të Planit të Ahtisarit, dhe status të veçantë për Kishën Ortodokse Serbe sipas Projektligjit për Liritë Fetare.

Haradinaj i propozon që të ofrojë heqjen e taksës për Kontratën Finale për njohje në kufijtë ekzistues, jo për rikthim në proces dialogues tashmë të konsumuar e komprometuar.

“Nëse shkon rrugës së parë për kontratën finale për njohje, do ta kesh përkrahjen time dhe të Aleancës. Nëse vazhdon me ofertën për kthim në proces të konsumuar e komprometuar, do të të mbajmë përgjëgjës për pasojat”, thotë Haradinaj. /a.y/noa.al

Loading...