Transmetuar më 20-02-2020, 02:01

Gjatë kohës së përleshjeve të protestuesve me forcat speciale tek monumenti i Enver Hoxhës, atë 20 shkurt 1991, qytetari Ardian Heta (nipi i kirurgut të njohur Prof. Dr. Hysen Heta), mori një makinë IFA të braktisur, që ndodhej në Sheshin “Skënderbej”.

Ardiani merr drejtimin e makinës IFA dhe pasi bën dy xhiro rreth shatërvanit, godet me spond një makinë zjarrfikëse që lagte popullin me ujë të ngjyrosur me bojë të kuqe.

Makina zjarrfikëse nga kjo goditje ndalon së lëvizuri.

Ndërkohë, aty pranë ndodhej një polic rreth 35 vjeç, i plagosur në kokë nga gurët e protestuesve dhe i mbuluar me gjak.

Ardian Heta së bashku me shokun e tij Indrit Sukaj, e marrin në makinë policin e plagosur dhe e transportojnë në Spitalin Ushtarak në Laprakë. Para se të nisej makina, shumë protestues i thonë Ardianit që të kthehej prapa se makina mund të nevojitej edhe për rrëzimin e monumentit. Ai e mbajti premtimin dhe u kthye me makinën përsëri në shesh.