Aktorja braktisi mëmëdheun 30 vite më parë, Anisa Markarian: Njoha veten, më mirë një mjeke e panjohur në Francë
Transmetuar më 21-02-2020, 22:53

Ajo ka qenë pa dyshim një yll i kinemasë i viteve ’80.

Anisa Markarian, një aktore e shkëlqyer, një mjeke anesteziste, më pas skenariste, autore librash, pra një grua shumë dimensionale,  në vitin 1991 do të largohej nga Shqipëria.

Iku për të emigruar në Francë ku jeton edhe sot e kësaj dite.

Markarian kthehet ndonjëherë në vendlindje. Ajo tregoi ndjesinë e braktisjes së kinemasë duke u kthyer sot në një mjeke e shkëlqyer.

“Asnjëherë profesioni nuk është ngatërruar me pasionin. Gjatë 5 viteve të Fakultetit të Mjekësisë refuzova çdo pjesëmarrje në filma për t’ju përkushtuar plotësisht mjekësisë. Megjithatë ky dualitet më ndihmon dhe sot. Jam urgjentiste dhe momentet e vështira si urgjentiste, për fat që kam artin që më balancon këtë ngarkesë adrenaline dhe përgjegjësie nga profesioni”, theksoi ajo, e ftuar në Rtv Ora.

Me babain nga Armenia, që i kishte shpëtuar genocidit atje si dhe nënën shqiptare, Anisa do të linte pas të dy atdheun dhe mëmëdheun.

“Bëhen 30 vjet që jetoj në Francë, është atdheu im i adoptimit. Ndihem qytetare e botës. I bëra vetes vendin aty ku shkova, me ndershmëri dhe punë”, shton ajo.

Por e pati të vështirë integrimin në Francë?

“Kjo më bëri shumë mirë, të jesh askushi. Po të kisha shkuar me mendjen që jam ylli i kinemasë do të më kishte bërë shumë dëm. Gati i them vetes bërë mirë që mërgove që të njohësh veten. Këtu në Shqipëri duke qenë e njohur, nuk kisha nevojë të angazhohesha shumë dhe të harxhoja shumë energji, gjërat ishin shumë më të lehta, më hapeshin shumë porta”.

“Njoha veten time, deri ku mund të shkoja me vullnetin tim. Kam pasur edhe fat, në shumë rrethana kam qenë personi i duhur, në vendin e duhur, në momentin e  duhur”, u shpreh aktorja e njohur në Shqipëri, sot një mjeke që i shërben Francës .

/NOA.al

Loading...