Koronavirusi, po Shqipëria do të veprojë si vendet e tjera për ata që vijnë nga Italia?
Transmetuar më 23-02-2020, 22:48

Pasiguria që ka shkaktuar afrimi i koronavirusit deri të fqinji ynë Itali, ka vënë në lëvizje shtetet përreth tij duke marrë masa drastike. Këto masa po i marrin dhe shtete të tjera goxha larg Italisë.

Rumani njoftoi sot futjen në karantinë për të gjithë udhëtarët që kthehen nga Italia.

Lexo: Rumania fut në karantinë 14 ditore të gjithë udhëtarët që kthehen nga Italia

Të njëjtin vendim e shpalli sot edhe Tajvani.

Lexo: Tajvani shpall urdhrin për qytetarët që udhëtojnë drejt Italisë

Austria ndaloi lëvizjen e trenave drejt Italisë dhe anasjelltas në vendin e saj.

Lexo: Austria ndalon trenat me Italinë

Sakaq, portet italiane shpallën sot mbylljen e tyre për ata që vijnë nga zonat e prekura nga virusi, pra nga rajonet e veriut të Italisë ose gjysma e vendit. Portet do të jenë të mbyllura edhe për turistët kinezë, të cilët duan të vijnë në ishujt italianë.

Lexo: Portet italiane mbyllin dyert për mysafirët

Kjo masë ekstreme është marrë si kundërpërgjigje për të parandaluar përhapjen e virusit të tmerrshëm.

Po Shqipëria? Përpos deklaratave të shumta se janë marrë të gjitha masat, asnjë njoftim nuk ka nëse do të ketë apo jo masa si këto që u njoftuan më lart nga vendet e tjera.

Qeveria shqiptare dhe kreu i saj Edi Rama, kanë premtuar se janë të gatshëm të përballen me rrezikun. Kryeministri, tha se janë marrë të gjitha masat. Por pyetja që shtrohet është pse nuk konsiderohet karantina ose mbyllja e përkohshme e lëvizjeve me rajonet e prekura të Italisë ashtu siç shpallën sot vendet e tjera?

Ndërkohë, çfarë ndodh në vendkalimet tona kufitare?

NOA mësoi se në aeroportin e Rinasit, janë vendosur ekipe mjekësore të cilët sot po kontrollojnë qytetarët që vijnë nga rajonet e Italisë të prekura nga koronavirusi. Sipas informacionit që noa.al mori, këto ekipe mjekësore janë të pajisura me një pajisje që kontrollon temperaturën e udhëtarëve. Nëse konstatohet që dikush prej tyre ka temperaturë, mund të izolohet për kontrolle të mëtejshme.

Por a është kjo një masë e mjaftueshme?

Jo! Sepse jo më kot, autoritetet në vendet e tjera që shpallën masa drastike për udhëtarët, pohuan se urdhri përfshin jo vetëm ata që kthehen tani e tutje nga Italia, por edhe ata shtetas që janë kthyer 10 ditët e fundit në këtë vend, pasi kanë udhëtuar në Itali. Sepse ata mund ta kenë marrë virusin fatal dhe ai të shfaqet deri në 14 ditë më pas.

Në këto kushte, matja e temperaturës në vendkalimet kufitare duket të jetë e pamjaftueshme dhe e pasigurt, sa kohë koronavirusi mund të shfaqet deri 2 javë pas prekjes.

Eskpertët kanë pohuar se koronavirusi bartet dhe mund të japë efektet e tij deri në 14 ditë nga momenti i prekjes. Kjo do të thotë se nëse një qytetar futet në vendin amë, fjala vjen më 23 shkurt dhe ka qëndruar në Itali 3 ditë, llogaritet dita e fundit e qëndrimit plus 14 ditë pas mbërritjes, si masë drastike parandaluese për përhapjen e virusit.

Nga deti dhe ajri, janë rreth 20 avionë dhe tragetë që lëvizin çdo ditë për në Itali, nga Rinasi, Durrësi dhe Vlora. Më së shumti avionët udhëtojnë pikërisht në zonat e prekura nga koronavirusi, kurse tragetët, në Bari, Brindizi dhe Trieste. /noa.al/

Loading...