Koronavirus/ MSH: Kur duhen përdorur maskat, nëse udhëtarët vijnë nga zonat e “nxehta” të telefonojnë në këtë numër
Transmetuar më 25-02-2020, 11:33

Ministria e Shëndetësisë deklaron se deri më tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus në Shqipëri. Në përfundim të mbledhjes së Task-Forcës, drejtuesja e Shërbimit të Inteligjiencës Epidemiologjike, Eugena Tomini, tha se mbrëmjen e kaluar ka pasur tetë raste të dyshuara, të cilët pas analizave kanë rezultuar negativ.

Ndër të tjera, ajo iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të bëjnë sa më shumë kujdes me higjienën personale, ndërsa shtoi se maskat duhet të përdoren vetëm në rastet kur personi është i infektuar ose kur ka kontakte me njerëz të prekur.

“Kemi shtuar masat në të gjitha pikat kufitare. Deri në këto momente nuk ka asnjë rast të konfirmuar. Deri në mbrëmjen e djeshme janë testuar 8 raste të dyshuar, që kanë rezultuar negativë. Personat që vijnë nga vendet e prekura nga virusi duhet të telefonojnë në numrin 127.  Ju këshillojmë të gjithë qytetarëve të përdorin bërrylin, për të mos përdorur dorën.

Të minimizojmë prekjen e gojës, hundës. Të përdoren maska vetëm kur jeni të sëmurë apo keni kontakte me persona të sëmurë. Nuk rekomandohet përdorimi i maskës, kur nuk jeni të sëmurë dhe nuk keni kontakte me persona të prekur. Të gjithë rastet që kanë ardhur nga Kina janë monitoruar nga ana jonë, si është karantinimi, deri në një moment të dytë të situatës. Çdo linjë e ardhur nga Italia monitorohet. Udhëtarët që janë evidentuar dhe vlerësuar në pikat kufitare kanë marrë rekomandimin e duhur.

Nëse vijnë nga vendet, ku Italia ka vendosur karantinim, ata udhëtarë nuk dalin nga karantina. Shpresojmë që edhe kjo virozë të ketë një tendencë në ulje me rritjen e temperaturave. Diagnoza bëhet në laboratorin e Inspektorit të Shëndetit Publik dhe rezultati i analizës del për 8-12 orë. Kemi dyfishimin e respiratorëve. Ky dyfishim përballon të gjitha kapacitetet e nevojshme”, deklaroi Tomini.

Loading...