Transmetuar më 26-02-2020, 22:21

Rudina Hajdari është shprehur se thirrja e Presidentit Ilir Meta, për të mbajtur një tubim më 2 mars, me qëllim për të respektuar Kushtetutën, nuk është e sinqertë, sipas saj.

"Atë Kushtetutë e kanë bërë leckë, e kur ka ardhur koha ta mbrojnë Kushtetutën kanë thënë që për hir të demokracisë duhet anashkaluar Kushtetuta", – tha ajo.

"Ndaj është e vështirë sot të besohet që kauzat janë të drejta. Kanë 29 vite që kanë të njëjtën sjellje politike", shtoi Rudina Hajdari, duke u distancuar ajo dhe grupi parlamentar nga thirrja e tubimit të 2 marsit.

Reagimi i plotë i Rudina Hajdarit

Mendoj se Kushtetuta është tepër e shenjtë, dhe nuk ka më të shenjtë se Kushtetuta!

Kushtetuta është shkelur që me marrëveshjen e 2008, ku me ndryshimet e bëra, ua kanë hequr të drejtën qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre dhe deri te mënyra se si kanë bërë ligjin e referendumit e deri te mënyra se si funksionojnë partitë sot në formë autoritare.

Pra, të gjitha këto shkelin parimet bazë të Kushtetutës dhe këto i ka prodhuar politika e vjetër në Shqipëri.

Kështu që, si personi që e thërret atë protestë, si ai person që e mbështet, si dhe ai që kanë përballë, e kanë shkelur atë Kushtetutë.

Personat që e kanë bërë këtë Kushtetutë leckë, janë ata që e kanë shkelur.

Shqiptarët nuk i besojnë më. Kushtetuta po përdoret për të nxjerrë njerëzit në tubim dhe në fund nuk arrihet asgjë.

Ata që thërrasin këtë protestë janë vetë ata që e kanë sjellë vendin në këtë derexhe. Kemi një Kushtetutë që është cënuar, dhe ky fakt është i trishtë, por janë këta persona që e kanë sjellë situatën këtu ku jemi.

Atë Kushtetutë e kanë bërë leckë, e kur ka ardhur koha ta mbrojnë Kushtetutën kanë thënë që për hir të demokracisë duhet anashkaluar Kushtetuta.

Ndaj është e vështirë sot të besohet që kauzat janë të drejta. Kanë 29 vite që kanë të njëjtën sjellje politike.

Kushtetuta sot duhet të mbrohet, dhe kjo nuk ka asnjë dyshim.

/NOA.al