Transmetuar më 27-02-2020, 16:25

Ish-deputeti i PD dhe mjeku Bardh Spahia ka monitoruar dy qendra shëndetësore në Tiranë për të parë nga afër masat e marra nga koronavirusit.

Në deklaratën e tij, Spahia u shpreh se mungojnë maskat dhe veshjet për mjekët nëse përballen me pacientë të sëmurë në virus.

“Pas vizitës tonë në ambientet e brendshme dhe komunikimit me mjekët dhe personelin shëndetësor të kësaj qendre, konstatojmë se deklaratat e kryeministrit dhe të qeveritarëve, jo vetëm që nuk janë të vërteta, por ka mangësi të theksuara në pajisjen e këtyre qendrave me mjetet e duhura për të përballuar këtë situatë tepër shqetësuese. Nga konstatimet tona u vu re se ka mangësi të theksuara në pajisjen me maska mbrojtëse, për të mos folur për mos pasjen e veshjeve të duhura për përballimin e një rasti të dyshuar me koronavirus”, deklaroi Bardh Spahia.

Spahia shtoi se në të dy qendrat e monitoruara se stafi shëndetësor nuk është trajnuar apo informuar mbi koronavirus dhe se deklaratat e qeverisë janë propagandë boshe.

“Ka mungesë të informacionit dhe trajnimeve, instruktimit të personelit shëndetësor për mënyrën e përballimit të dhe të veprimeve në rast konstatimi të një pacienti të prekur nga koronavirusi. Mungesa të cilat pastaj detyrimisht shtrihen përtej personelit mjekësor dhe tek qytetarët shqiptarë. Një tjetër aspekt shqetësues të cilin do të doja ta theksoja sot, ishte edhe mungesa jo vetëm e informacionit, por edhe e dezinfektimit dhe sanitarizimit të ambienteve të këtyre qendrave shëndetësore në të cilat kalon një fluks i madh qytetarësh shqiptarë, shpeshherë me simptoma të ngjashme me ato të koronavirus”, tha Bardh Spahia./a.m/noa.al