Transmetuar më 28-02-2020, 10:48

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në mbledhjen e Task Forcës së paradites së sotme, deklaroi se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus.

Por ajo deklaroi se Shqipëria nuk mund të jetë imun ndaj një rreziku si koronavirusi, teksa bëri me dije se 18 persona të testuar të dyshuar, rezultuan negativ.

“Sot ka nisur shpërndarja e 1.2 milion maskave kirurgjikale në strukturat e parësorit dhe spitalet e vendit. Ndërkohë spitalet duhet të marrin masa për të rritur akoma më shumë stokun e mjeteve të mbrojtjes personale, me fondin prej 1 milion dollarë shtesë që kemi rialokuar në buxhetet e spitaleve, për të patur stokun e domosdoshëm për çdo situatë, me fokus tek QSUT”, u shpreh Manastirliu.

Gjatë raportimit në Task Forcë, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, deklaroi se po vijohet me trajnimin e ekipeve mjekësore në të gjithë stukturat, deri tani janë trajnuar mbi 800 profesionistë të shëndetit në të gjithë nivelet e sistemit shëndetësor.

Drejtuesi i Urgjencës Kombëtare, Skënderj Brataj, gjatë raportimit në mbledhjen e Task-Forcës, tha se Urgjenca Kombëtare Mjekësore ka marrë masat për të përballuar mbi 5000 thirrje në ditë në numrin unik 127, ndërsa aktualisht pret mbi 1500 thirrje, me një rritje prej 45%.

“Gjatë këtyre ditëve kemi pritur 326 thirrje që janë klasifikuar në kodin e ri Korona, të cilët janë ndjekur sipas udhëzimeve të komitetit të ekspertëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë”, tha Brataj.

Najada Çomo, shefe e spitalit Infektiv në QSUT u shpreh në raportimin në Task-Forcë se, janë shtuar dhomat e izolimit, mjetet e mbrojtjes personale për personelin shëndetësor si dhe kushtet e duhura sipas standardeve, me personelin në gatishmëri për pritjen e rasteve potenciale.

Haki Çako, drejtori i Emergjencave Civile deklaroi në raportimin në Task-Forcë se strukturat e karantinës janë në gatishmëri, sipas standardeve të vlerësuara nga komiteti i ekspertëve.

Në përfundim të mbledhjes së Task-Forcës, Manastirliu deklaroi se do të bëhet më e mira e mundshme, fillimisht për të mbështetur stafin mjekësor dhe infermieror dhe për të koordinuar punën për të përballuar një situatë potenciale të koronavirusit të ri në vendin tonë. /a.y/noa.al