Transmetuar më 28-02-2020, 11:54

Kryeministri Edi Rama e shvlerësoi manifestimin e thirrur më 2 mars nga Presidenti Ilir Meta, në mbrojtje të Kushtetutës, sipas kreut të shtetit.

Teksa paraditen e sotme po fliste në konferencën e rindërtimit për familjet e prekura që kanë humbur shtëpinë si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, Rama u pyet mbi manifestimin e Presidentit.

Ai tha se Presidenti e ka shtëpinë e tij, madje shtoi “më shumë se një shtëpi”.

“Unë jam këtu për shtëpitë e atyre që jetojnë në çadra, apo me qera, për ata jam këtu, jo thjesht në konferencë, por për të gjitha orët e ditës dhe natës time. Ua kam lënë juve çështjen e Presidentit, unë nuk merrem me Presidentin! Është shumë luks i madh për mua”, u shpreh kreu i qeverisë.

Kujtojmë se Presidenti i ka ftuar qytetarët pasditen e 2 marsit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke iu dhënë fjalën se shumë shpejt falë popullit shqiptar s’do ketë vetëm një institucion që është në mbrojtje të kushtetutës por gjithë institucionet që janë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit" do i kthehen popullit shqiptar.

Në këtë ditë ai ka paralajmëruar firmosjen e dekretit të parë për shpartallimin e grushtit të shtetit. /a.y/noa.al

“2 marsi”, Presidenca: Shmangni provokimet, filmoni çdo gjë! Meta: I paduruar për pranverën kuqezi