Transmetuar më 28-02-2020, 12:03

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për letrën e dërguar nga tetë anëtarë të PS për përfaqësinë e Kongresit të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Në fjalën e tij nga prezantimi për projektet e rindërtimit, Rama tha se është aty për të folur vetëm për ata që kanë humbur shtëpitë.

Kryeministri theksoi se shtëpitë e socialistëve pa dallim moshe, janë top.

"Nuk ka socialistë të vjetër, do të jenë gjithmonë të rinj. Mos harroni Dritëro Agollin. Ishte disa dekada më i vjetër se ju, por shumë më i ri se ju. Të jesh socialist, do të thotë të mos jetë asnjëherë i vjetër.

Jam këtu për ata që kanë humbur shtëpitë. Socialistët e kanë shtëpinë top. Kur e ke shtëpinë top, të tjerat janë luks, të gjitha diskutimet, debatet. Nuk kemi probleme me shtëpitë e socialistëve, pa dallim moshe", tha Rama.

Në letrën e dërguar dje nga Arta Dade, Eva Teqja (Allushi), Ibrahim Sulaj, Irena Beqiraj, Luan Zhegu, Maqo Lakrori, Nazmir Bilani dhe Përparim Bodinaku, kërkohet mocion për reformimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë.

“Jemi disa votuese dhe votues të Partisë Socialiste; midis nesh ka edhe anëtare/ë të saj. Përmes kësaj letre dëshirojmë që t’ju njohim me një mocion për reformimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Mocioni përcakton objektivat kryesorë të reformimit dhe propozon një paketë me 10 ndryshime e plotësime themelore në Programin dhe në Statutin e partisë. Kërkojmë nga ju, paraqitjen e tij për votim në Kongresin e PS, të datës 29 shkurt 2020”, thuhet në të.

Më tej shtohet se kjo letër do të bëhet publike me qëllim që çdo anëtare dhe anëtari PS, çdo votuese dhe votuesi PS, çdo simpatizante e simpatizant i saj dhe po ashtu edhe çdo qytetare e qytetar tjetër i Republikës së Shqipërisë, kudo që ndodhet në vend dhe në emigracion, të ketë mundësinë që të njihet vetë me përmbajtjen e këtij mocioni dhe të përcaktojë lirisht e me bindje të plotëqëndrimin personal ndaj tij./a.m/noa.al

Lexo edhe: Tetë anëtarë të PS, mocion për Kongresin: Kryetari të ketë dy mandate, jo Kryeministër