Transmetuar më 28-02-2020, 23:49

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico ka kërkuar nga qytetarët që të kenë bashkëpunim me autoritetet dhe në rast se nuk ndjehen mirë, të mos shkojnë të spitali por të telefonojnë në 127.

“Në këtë pikë është shumë i rëndësishëm komunikimi me qytetarët dhe bindja qytetare. Ne në mënyrë të përsëritur kërkojmë bashkëpunim qytetar, të mos shmangim për asnjë arsye ato detyra që duhet të kryejmë. Ata që kanë ardhur nga vendet e prekura, janë të detyruar të raportojnë situatën e të mos ndjerit mirë”.

E ftuar në “Provokacija” u bëri thirrje qytetarëve që të mos neglizhojnë asnjë shenjë që mund t’ju shfaqet.

“ Ju lutem bashkëpunoni me autoritetet shëndetësore dhe nëse për një arsye ose tjetër, nuk ndjeheni mirë, keni histori të udhëtimit në vende të prekura, ju lutem mos shkoni tek urgjenca e spitalit. Merrni urgjencën kombëtare, numri është 127”, theksoi Fico.

Të njëjtën thirrje drejtoresha e ISHP e bëri edhe për personat që kanë poste publike:

“Do të më vinte keq tu thosha se ka edhe njerëz të cilët  mbajnë disa poste. Duhet të kuptojë çdo njeri që ka një post publik nuk mund të thyejë rregullat ndërkombëtare. Përpara epidemisë jemi të gjithë të barabartë” theksoi ajo.

Po ashtu ajo ka shpjeguar se nga kuptohet që një njeri ka koronavirus dhe nuk ka grip. Sipas saj një element i rëndësishëm është historia e udhëtimit në vendet e prekura.

“Ka një diferencë të madhe mes një pacienti që ka një situatë gripale që ne jemi mësuar ta kalojmë qoftë edhe në shtëpi”.

“Ndërsa në rastet kur ka prekje të një numri të të madh njerëzish hyn në lojë ajo që quhet rregullorja e shëndetit publik. Padiskutim ka një histori me vendin nga vjen. Kjo është diferenca. Mos harrojmë që edhe për gripin është e rëndësishme të kuptohet ajo që quhet cilat kanë qenë kontaktet”, theksoi Fico.

/NOA.al