Transmetuar më 29-02-2020, 01:36

Partia Demokratike dorëzoi zyrtarisht ne tryezën politike te reformës zgjedhore, kërkesën për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje.

Socialistët dhanë parimisht dakortësinë për identifikimin biometrik, ndërsa për votimin elektronik kërkuan kohë për të marrë ekspertizë ndërkombëtare.

Propozimi i demokratëve parashikon ngritjen e sistemit biometrik te identifikimit pranë  çdo qendre votimi, e cila bën të mundur identifikimin e zgjedhësve përmes dokumenteve  të identitetit  dhe të dhënave biometrike përfshi shenjat e gishtërinjve.

Më pas zgjedhësi i drejtohet pajisjes  elektronike te votimit  për të shprehur vullnetin e tij.

Pasi votuesi bën zgjedhjen e tij dhe konfirmon në ekran votën e tij, pajisja elektronike  printon kuponin e votës përkatëse, e cila bie në një kuti te tejdukshme.

Edhe opozita e listave fundore të PD dhe LSI, shkoi në tryezë me propozime. Rudina Hajdari  kërkoi lustracion  për  kandidatët për deputet dhe kryetar Bashkie.

Në mbledhjet me dyer të mbyllura socialistët bënë me dije se kanë dhënë dakortësi për propozimin e demokratëve që krimet zgjedhore te hetohen nga SPAK, ndërsa zbuluan se java e ardhshme  do t’i dedikohet tërësisht diskutimit për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe financimit te fushatave zgjedhore.

DEKLARATA E PLOTË E PËRFAQËSUESIT TË OPOZITËS NË TRYEZËN E REFORMËS ZGJEDHORE, OERD BYLYKBASHI

Opozita e Bashkuar ka bërë sot propozimin për një nga çështjet kryesore të axhendës së opozitës në reformën zgjedhore, tashmë që nga viti 2016, futjen e identifikimit biometrik të zgjedhësve, votimin dhe numërimin elektronik të votave.

Është një propozim i detajuar, fare i qartë, i thjeshtë për t’u zbatuar, absolutisht i realizueshëm, i cili do të bëjë të mundur që të heqë duart e të gjithë atyre horrave zgjedhorë që kemi çuar në të shkuarën, të cilët manipulojnë votat e shqiptarëve duke mbushur kutitë e votimit, duke votuar në emër të emigrantëve dhe duke votuar më shumë sesa një herë.

Nëse nuk trajtohet në këtë formë, probleme të tilla që janë në dukje banale, por në fakt janë kanceri i procesit të votimit dhe më pas edhe i numërimit, shqiptarët do të vazhdojnë të vuajnë nga zgjedhjet të cilat janë të papranueshme dhe të pabesueshme.

Pra, propozimi ynë sotëm është një adresim i drejtpërdrejtë i një numri të rëndësishëm të rekomandimeve prioritare të OSBE/ODIHR-it, por mbi të gjitha, shqetësimesh që kanë shqiptarët për zgjedhjet në Shqipëri.

Kemi kohë që e propozojmë. Rezistenca ka qenë e gjatë në kohë. Shpresojmë që të kemi dakordësi që shqiptarët në të gjitha qendrat e votimit në zgjedhjet që vijnë të kenë mundësinë të identifikohen në mënyrë të besueshme dhe askush të mos fusë duart në kutitë e votimit dhe t’i mbushë ato me vota emigrantësh, që nuk kanë ardhur kurrë në Shqipëri apo me vota të fallsifikuara.

Ky do të ishte një hap i madh, i cili na çon më pas edhe drejt hapash të tjerë në lidhje me depolitizimin e komisioneve zgjedhore që, përndryshe, askush nuk i beson propozimet e qeverisë, që nuk çojnë gjë tjetër veçse në kapjen e administrimit nga qeveria.

Kush bllokon këto hapa të rëndësishëm të reformës zgjedhore, jo vetëm për votimin, por edhe për propozime të tjera që kemi bërë ne, praktikisht nuk do që problemet e rënda që u konstatuan në vitin 2015, 2017, 2019 të ikin nga zgjedhjet dhe do që zgjedhjet të jenë të manipuluara dhe deri më sot kjo është provuar në sytë e shqiptarëve, vetëm Edi Rama.

Pyetje: Z.Bylykbashi, z.Gjiknuri tha pak më herët që kërkonin pak kohë për të vërtetuar përmes ekspertëve nëse mund të shtrihet teknologjia në të gjithë Shqipërinë. Për ju kjo do të shihet si pengesë nga ana e maxhorancës?

Oerd Bylykbashi: T’i lëmë kohën e mjaftueshme, që është minimale, për të parë propozimet tona që janë të thjeshta dhe të qarta, të cilat janë të diskutuara edhe në stad të avancuar që nga viti 2018, nuk nis sot ky debat, por aq më shumë, të dakordësuara që në vitin 2012 kur maxhoranca e Partisë Demokratike, qeveria e kryeministrit Berisha, pranoi propozimet e opozitës së asaj kohe, që të trajtojë aspektet e teknologjisë së votimit për të hequr manipulimin zgjedhor. Uroj që nuk do të jemi përballë justifikimesh. Propozimi ynë është i thjeshtë dhe pjesë të tij së paku janë të realizueshme në të gjithë Shqipërinë përsa i përket identifikimit të qartë të gjithë shqiptarëve.

Pyetje: Po për çështjen e sistemit zgjedhor, do të sillni propozime javën tjetër?

Oerd Bylykbashi: Çështjet e axhendës për javën tjetër do të përcaktohen, do t’i merrni në njoftimet që bën Këshilli Politik.

Prononcimi për media i bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore z.Damian Gjiknuri:

 Gjiknuri: Sot jemi njohur me propozimet e Partisë Demokratike për pjesën e identifikimit dhe votimit në raport me përfshirjen e teknologjisë. Në parim ne jemi në mbështetje të nismave që të përfshihet teknologjia në zgjedhje, megjithatë, ne si mazhorancë do të konsultohemi edhe me ekspertë, do të marrim dhe opinionin e ekspertëve të ODIHR dhe të do të shohim si do ta përfshijmë këtë teknologji. Por, në parim dhe kjo vlen për publikun, tek pjesa e identifikimit të zgjedhësve që me çfarë duket ka prioritet dhe nga opozita, ne jemi të gatshëm të gjejmë kompromis në këtë drejtim. Siç do gjë tjetër teknologjike kërkon kohë, kërkon më shumë siguri dhe kërkon që procesi  zgjedhor të mos mbetet peng i dështimeve teknologjike. Pra kjo është qasja që ka mazhoranca dhe qeveria.

 Pyetje: PD kërkon që identifikimi elektronik të jetë në gjithë territorin, ju e pranoni këtë?

 Gjiknuri: Thashë që nëse kjo është e realizueshme dhe ne do të bëjmë konsultime për këtë. Nuk është çështje idesh dhe teorish por është çështje teknologjie, do të bëjmë konsultimet e nevojshme, do të përfshijmë edhe organe të specializuara të Këshillit të Ministrave që kanë njohuri në lidhje me këtë çështje, si dhe konsulencë ndërkombëtare. Në parim dhe mënyra se si e kemi formuluar që në draft-ligjin për ndryshimet e Kodit Zgjedhor ka qenë që parimet i vendosim në këtë ligj dhe implementimin t’ja lëmë organeve zbatuese, në këtë rast Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ose institucionet që do të përfshihen në implementimin  e kësaj teknologjie. Po e theksoj, në parim jemi për përfshirjen edhe me elementin që do të çojë drejt një departizimi, depolitizimi të procesit në qendrën e votimit. Edhe një nga qëllimet që kemi pasur është depolitizimi i komisioneve zgjedhore dhe futja e teknologjisë ndihmon direkt edhe në këtë drejtim, pra që është një avantazh i dyfishtë.

 Pyetje: Po për propozimet e tjera të Partisë Demokratike z.Gjiknuri kanë punuar ekspertët tuaj, fjala vjen për çështjen e ankimimit për të cilën thatë se ju duhej kohë në komunikimi?

 Gjiknuri: Janë duke punuar për disa opsione, kuptohet që akoma nuk kemi gjetur një dakordësi. Lamë dhe mbledhjen tjetër ditën e martë, ku PD do të sjellë paketën e  propozimeve të saj për çështjet e financimit të fushatës zgjedhore dhe çështjen  e fushatës në media. Do të diskutojmë shumë shpejt, javës tjetër, edhe çështjet e Sistemit Zgjedhor dhe mendoj që brenda javës që vjen, nëse PD do të vijë edhe me propozimet për administratën zgjedhore, do ti kemi të gjitha çështjet në tavolinë. Ndërkohë, është bërë një punë e mirë nga ekspertët dhe mendoj që nëse ka vullnet dhe të punojmë realisht me shumë intensitet dy javët e mbetura, besoj që do të kemi një konkluzion. Por, gjithmonë nëse ka vullnet dhe duhet të gjejmë kompromis, për gjëra të cilat të dyja palët mund ti kërkojnë por jo të gjitha janë të mundshme dhe natyrshëm në bashkëbisedim edhe me ekspertizën e ODIHR.

 Pyetje: Keni kërkuar mendim Prokurorisë për sa i përket propozimeve të PD për përfshirjen e ekipeve të policisë në qendrat e votimeve po ashtu dhe ndryshimeve në Kodin e procedurës Penale. Cila është përgjigjja e Prokurorisë?

 Gjiknuri: Prokuroria në një shkresë të saj ka sjellë disa përgjigje. Në Kodin e procedurës Penale ne kemi rëndë dakord që krimet e korrupsionit zgjedhor të përfshihen si krime që do të hetohen nga SPAK. Pra, kjo është një gjë tashmë e pranuar nga ana e PS dhe nuk shohim ndonjë shqetësim në lidhje me të. Për sa i përket çështjes së Policisë dhe të rolit që do të kenë sinjalizuesit, kemi rënë dakord që të përfshihen tek legjislacioni për sinjalizuesit dhe mbrojtja e veçantë e tyre përfshirë dhe roli i Policisë. Disa elementë që janë të mundshëm, do ti përfshijmë në Kodin Zgjedhor. Natyrshëm, janë disa gjëra të tjera që Prokuroria ka shprehur opsionet dhe kundërshtitë e saj, por ky është një proces që po trajtohet nga ekspertët për të gjetur një zgjidhje të pranueshme. Një gjë dua ta them, që ne jemi të gatshëm që të ketë një vëmendje të shtuar në periudhë zgjedhore nga ana e organeve të prokurorisë, le të  ngrihen edhe task -forca të veçanta, të ketë edhe një raportim edhe më të madh dhe më intensiv për sa i përket kundërvajtjeve dhe shkeljeve zgjedhore. Në këtë rast, mazhoranca nuk ka asgjë për të fshehur dhe është shumë e gatshme që të pranojë disa nga propozimet e opozitës.