Transmetuar më 29-02-2020, 08:16

Nxënësit e një gjimnazi në Fier përfunduan në urgjencë pasi dyshohet se u helmuan gjatë orës së mësimit të premten.

Ata shfaqën probleme me frymëmarrjen dhe kollitje, por fatmirësisht ndodhen në gjendje më të mirë shëndetësore. Njëra nga nxënëset ka treguar se si ndodhi ngjarja në gjimanzin "Janaq Kilica".

“Ishim në orën e biologjisë dhe profesorja po shpjegonte mësimin. Ndjemë një erë acidi dhe dolëm të gjithë jashtë. Kaq. Pastaj filloi të ndihej në të gjithë katin. Në rreshtin e dritareve janë ato të kaldajave, ndoshta prandaj plasi”, tha ajo.

Ndërsa babai i vajzës deklaroi se do të denoncojë stafin e shkollës sepse nuk ka një përgjigje konkrete rreth asaj që ndodhi.

“Këta nuk po na japin asnjë lloj përgjigje nga se ndodhi kjo tani. Me kë të përballemi ne tani. Erdha si baba tani unë këtu dhe s’di me kë të merrem. Na përplasën në një dhomë këtu. Pse ndodhi? U helmua nga ushqimi që i dhashë unë në mëngjes a u helmua në shkollë? U helmua nga dikush tjetër, nuk po e marrim vesh çfarë po ndodh tani. Unë do bëj denoncim me drejtor, si staf të gjithë atyre”, tha ai.

Helmimi dyshohet se është shkaktuar nga një eksperiment i bërë gjatë orës së mësimit, por ende nuk është konfirmuar./a.m/noa.al