Kryeministri Edi Rama e nisi këtë të diel me një sulm të ashpër ndaj ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, e njëkohësisht duke marrë në mbrojtje Albin Kurtin të cilin Erjon Veliaj e ka kërcënuar për ta shpallur non grata në Tiranë.
Përmes një mesazhi në Twitter Rama u shpreh: "Me paturpësi Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit! Albini mund të jetë gjithçka po kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë! Uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës!".
Më tej z.Rama vijon sulmin ndaj Ramushit duke e quajtur deri edhe idiot: "Kurrë nuk është dëgjuar një idiotësi më e madhe se sa predikimi që taksa do sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe asgjë s’i ka bërë më shumë dëm Kosovës, se sa ajo taksë e kthyer nga një thirrje për vëmendje ndaj shkeljeve të CEFTA-s nga Serbia, në një litar në fytin e Kosovës!".
Për Edi Ramën, Albin Kurti është në rrugën e duhur! "Heqja e taksës do jetë dita e parë e tij si kryeministër në zyrë, jo më si lider opozite në zyrën e kryeministrit! Do t’i duhet të përballet me etiketën e “tradhëtarit” po ani, ajo etiketë i dallon udhëheqësit e paqes nga statujat e luftës".