Bizneset dhe familjet të mos rëndohen 3 deri 6 muaj me tatimet e shtetit, dritat dhe sigurimet
Transmetuar më 15-03-2020, 16:05

Unioni i Dhomave të Tregtisë, Biznes Albania dhe shoqatat e biznesit, me qëllim uljen e impaktit të koronavirusit në Shqipëri, iu drejtuan sot qeverisë shqiptare me kërkesën që të zerohen tatimet ndaj shtetit për tre muajt në vazhdim.

Këto organizata të biznesit e vlerësojnë me pasojë të ndjeshme në ekonomi dhe në biznese situaten e COVID-19 në Shqipëri dhe me pasoja të rënda sidomos për biznesin e vogël dhe të mesem, biznesin e shërbimeve, sektorin e turizmit dhe fasonerisë, etj!

Në këto kushte ata mendojne se Qeveria duhet të angazhohet seriozisht për të përballuar pasojat ekonomiko-financiare të COVID-19.

Ndaj ata i kërkojnë qeverisë që të mos paguhen tatim fitimi dhe tatimet e tjera për 3 muaj dhe të kompensohen nga shteti.

Po ashtu të mos paguhen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për 3 deri 6 muaj dhe të kompensohën nga shteti!

Pagesat e energjisë elektrike dhe ujit të ngrijnë per 3 deri 6 muaj në varësi nga kohëzgjatja e situatës.

Edhe gjobat e vëna biznesit nga institucionet tatimore dhe doganore, për shkak të mos funksionimit të gjykatave të ngrijne për 3-6 muaj.

Ndërsa kreditë të mos paguhen per 3-6 muaj dhe gjatë kësaj kohe të ulen interesat në nivelin e Euroriborit, kurse pagesat mbas 3-6 muaj të mos kenë penalitete.

Dhe së fundi, pagat e punonjësve të bizneseve të mbyllura të paguhen në nivelin e raportit mjekësor nga sigurimet shoqërore.

Për të mundësuar këto masa lehtësuese, komuniteti i biznesit i sugjeron qeverisë shqiptare të kërkojë financime nga institucione financiare nderkombetare, si FMN, Banke Botërore dhe Komisioni Europian.

Deri tani kryeministri Edi Rama ka shpallur dhe vënë në zbatim shumë masa shtrënguese ndaj qytetarëve dhe bizneseve, por asnjë masë lehtësuese për ta. /noa.al/

Loading...