Basha thirrje Ramës: Anulo PPP-të, mbështetje fiskale dhe financiare biznesit
Transmetuar më 16-03-2020, 14:00

Lideri i demokrateve Lulzim Basha i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të anulojë PPP-të dhe paratë t’i shkojnë për mbështetje fiskale dhe financiare biznesit që sot ka mbyllur dyert për shkak të koronavirusit.

Ai thotë se nuk është koha për të sulmur opozitën dhe “nuk dua të përfshihem në batuta bajate që nuk të çojnë asgjëkundi dhe nuk ofrojnë asnjë zgjidhje”.

Për Bashës çdo propozim ekonomik i bërë në dy rastet e fundit të emergjencave, pas tërmetit dhe tani për koronavirusin, ka patur parasysh se detyra numër një e qeverisë duhet të jetë shëndeti i qytetarëve shqiptarë kudo ku jetojnë anembanë vendit, dhe më pas, garancitë për kompensimin e këtij dëmi të madh si për qytetarët, ashtu edhe për ekonominë tonë në tërësi.

“Propozimet e mia janë të bazuara në dy parime bazë: “Mos kurse asgjë përpara shëndetit të njerëzve dhe rimëkëmbjes ekonomike të vendit”, dhe “Mos propozo kurrë diçka që nuk do ta bëje dot vetë”. Këto ditë jam në kontakt të vazhdueshëm me shoqatat e bizneseve, me biznese të vogla dhe të mesme. Janë këto grupe shtyllat e ekonomisë shqiptare, të cilat kanë nevojë të mbështeten në këtë kohë krize. Çdo vend po vepron kështu, duke vënë në dispozicion buxhetin e mjaftueshëm për përballimin e krizës dhe duke aplikuar politika fiskale dhe monetare në mbështetje të ekonomisë”.

Sipas tij këto masa fiskale lehtësuese u vijnë në ndihmë si sipërmarrësve të vegjël, ashtu dhe punëtorëve të tyre. "Sot Shqipëria ka nevojë të përballojë emergjencën shëndetësore që ka krijuar kriza e koronavirus. 120 milionë euro që shkojnë dëm me koncesionet, duhet të angazhohen në dy fusha kyçe: mbështetje sociale dhe fonde shtesë për shëndetësinë"./b.l/noa.al/