Të moshuarit rebelë… thonë lajmet. Çfarë hipokrizie! – Nga Brizida Gjikondi
Transmetuar më 18-03-2020, 10:59

Të moshuarit rebelë… thonë lajmet. Ç’hipokrizi! U kujtuat ju për të moshuarit, ju që edhe tani nuk keni hallin e tyre por tuajin.. Në 30 vjet i keni trajtuar si mos më keq, pensionet e tyre janë më poshtërueset në rajon pale në Evropë, në vend të ilaçeve iu keni dhënë gëlqere mafioze, u rropatën gjithë jetën e tyre për ta kthyer Shqipërinë në aset, aset të cilin e gëzojnë më të korruptuarit sharlatanë.

Të moshuarit shqiptarë janë 1000 herë më të lexuar dhe më të zgjuar se bijtë e tyre, prandaj kujdes kur flisni për ta dhe i trajtoni si barrë dhe si torollakë.

Kini parasysh që si e moshuara dhe e nderuara Luljeta Bozo që prozhektorët e nxorën në pah kur ra tërmeti, ka me mijëra dhe në çdo fushë. Por ata sot heshtin, Shqipëria nuk është më e tyrja, por as e juaja.

Ka me qindra të moshuar intelektualë të spikatur që zvarriten në kushtet ekstreme të mbijetesës, të cilëve nusja thonjëngjitur dhe buzëfryrë i ka flakur në azil ose i ka mbyllur mes rreckash në qoshe të një dhome pasi i ka pushtuar shtëpinë që me gjak dhe djersë ka arritur të ketë si të vetmen pasuri të një jete plot sakrifica dhe idealizma (idealizma shpesh të përdorura dhe nëpërkëmbura nga politika). Atyre koronavirusi ju duket lule përballë mosmirënjohjes.

Ata janë biblioteka dhe akademi të injoruara në 30 vjet, ata tallen në heshtje me ne dhe vdekjen e tyre fizike. Im atë nëse do ishte gjallë, si lab 100 karatësh që ishte, do tallej me këtë historinë e mbylljes me detyrim në shtëpi… do çapitej nëpër qytet, do blinte qumështin dhe pak bukë… dhe do i kthehej librave të tij.. si gati të gjithë moshatarët e tij.

Por ai nuk është më, edhe moshtarët e tij që frymojnë mbi tokë.. zëre se nuk janë, mosmirënjohja dhe injorimi i bijve të tyre fodullë dhe injorantë ka 30 vjet që i vret pareshtur.

Dhe dikur thuhej se një i moshuar që vdes është si një bibliotekë që digjet….

Ndoshta ngaqë të dy prindërit si kam më, sa herë shoh të moshuar nëpër rrugë më shtrëngon zemra, më mbushen sytë… por hesht., ata për atë kanë nevojë, jo për pallavra dhe hipokrizi.

Loading...