Transmetuar më 23-03-2020, 01:11

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka prezantuar tre masat urgjente që duhet të ndërmarrë qeveria për të ndalur përhapjen e mëtejshme të koronavirusit, në një kohë kur numri i të infektuarve po rritet.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha kërkon që qeveria të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke mbyllur kështu call centera, fasoneri dhe çdo ambient që grumbullon njerëz.

Basha kërkon që të shtohet nevoja për të ndërmarrë një plan të detajuar masash për parandalimin e përhapjes së shpejtë të virusit. Pa u bërë tepër vonë duhet vepruar për t’i dalë të keqes përpara.

Postimi i kryetarit të Pd, Basha

Shifrat e të prekurve nga COVID 19 po rriten. Prandaj shtohet nevoja për të ndërmarrë një plan të detajuar masash për parandalimin e përhapjes së shpejtë të virusit. Pa u bërë tepër vonë duhet vepruar për ti dalë të keqes përpara.

Duhen marrë masa të menjëhershme:

1. Të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Të mbyllen call centers, fasoneritë dhe sipërmarrjet e tjera me numër të madh punonjësish në një hapësirë të mbyllur që kanë probabilitet të lartë për të përhapur virusin.

2. Të hartohet një plan masash i detajuar dhe me afate të mirëpërcaktuara për mënyrën e operimit të bizneseve që janë të domosdoshme për jetën e qytetarëve.

3. Marrjen e masave të menjëhershme diktuar nga gjendja e jashtëzakonshme për të garantuar kushtet jetike për të gjithë qytetarët që për shkak të pamundësisë për të punuar nuk përballojnë nevojat e përditshme.

Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta kaluar me sa më pak dhimbje këtë situatë të vështirë. Qytetarët duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi ndërsa qeveria duhet t’u japë siguri për të përballuar jetesën e tyre.