Koronavirusi, Berlusconi i drejtohet Contes: Kështu nuk shkon
Transmetuar më 23-03-2020, 22:43

Koronavirusi po bëhet shqetësues në mbarë botën.

Situata paraqitet më alarmante në Itali ku vdekjet janë të shumta për shkak të këtij virusi vrasës.

Ish-kryeministri Silvio Berlusconi ka dalë kundër Giuseppe Contes duke thënë se masat që ka marrë deri tani janë të pamjaftueshme.

"Jemi të gjithë shumë të shqetësuar, zgjedhja për të mbyllur gjithçka do ketë pasoja dramatike nëse nuk vihen në zbatim masa drastike. Ajo çka është bërë deri tani nuk është e mjaftueshme”, tha Berlusconi për mediat italiane.

Ai më pas ka kritikuar zgjedhjen e Kryeministrit Giuseppe Conte për të dhënë njoftimet në orët e vona të natës rreth masave për emergjencën Covid-19:

"Nuk mund të bëhet me lajmërime të papritura, në mes të natës, me të dhëna konfuze dhe kontradiktore".

Berlusconi ka thënë më tej:

"Në këtë emergjencë ne duam të jemi, si gjithmonë, konstruktivë por duhet që qeveria tani të dëgjojë drejtimet tona sepse kështu vërtet nuk shkon. Duhet të bëjmë shumë më tepër. Kemi ofruar bashkëpunim duke vënë në dispozicion burimet tona më të mira dhe vazhdojmë të sjellim edhe në këtë moment propozimet tona konkrete. Por qeveria deri tani  ka preferuar të mos na dëgjojë dhe të veprojë e vetme. Duhet qëllim i mirë dhe përgjegjësi nga ana e të gjithëve. Si çdo aktivitet edhe ai parlamentar duhet të kufizohet tek çështjet urgjente, pra vetëm tek pandemia në vazhdim dhe masat që duhen marrë për të shmangur katastrofen ekonomike".

Kujtojmë që vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 601 viktima, duke e bërë edhe më tragjik bilancin e të vdekurve. Mirëpo ky numër vjen në rënie krahasuar me dy ditë më parë.

Në total numri i viktimave nga koronavirusi në shtetin fqinj ka shkuar në 6077./a.k/noa.al/

Loading...