Mbërrijnë në Kosovë ilaçet kundër koronavirusit, u aprovuan nga SHBA
Transmetuar më 24-03-2020, 00:52

Kosova ka nisur të furnizohet me dy ilaçet, të cilat javën e kaluar u aprovuan nga autoritetet amerikane për përdorim në luftimin e virusit covid-19.

Ndërsa shtetet e zhvilluara po përpiqën të zbulojnë medikamentin që shëron sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë aprovuar përdorimin e hidroksitit të klorokuinit në kombinim me antibiotikun azitromicinë. Sipas studimeve fillestare, ky kombinim zvogëlon qëndrueshmërinë e virusit në trupin e pacientit.

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës tha të martën se tashmë është siguruar një sasi e këtyre ilaçeve. Një pjesë e tyre është blerë dhe pjesa tjetër është dhënë si donacion nga një operator, që Ministria nuk ia ka treguar emrin.

“Ministria e Shëndetësisë është në dijeni lidhur me terapinë në fjalë, dhe tashmë ajo ka siguruar një sasi nëpërmjet buxhetit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, kurse një pjesë e vogël është pranuar si donacion nga një operator i brendshëm ekonomik”, thuhet në deklaratën e MSH-së.

Ministria ka porositur edhe sasi shtesë të dy ilaçeve, të cilat priten të vijnë të mërkurën 24 mars.

Kurse sasi tjera do të porositen nesër, të cilat do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë.

Amerika i dha dritën e gjelbër, pasi një studim i ri gjeti se hidoroksiti i klorokuinit, që është një ilaç i famshëm kundër malarias e që njihet me emrin tregtar “Plaqenuil”, në kombinim me antibiotikun azitromicin do të ishte efektiv në shërimin e sëmudjes së shkaktuar nga virusi Covid-19. Sipas këtij studimi, që akoma është në fazë të hershme, ky kombinim i dy ilaçeve, do të zvogëlonte qendrueshmërinë e virusit te pacientët.

Hulumtuesit e kanë testuar studimin në 30 pacientë të prekur me virusin covid-19, duke e provuar hidroksitin e klorokuinit veçmas, si dhe në kombinim me antibiotikun. Ata i kanë krahasuar rezultatet e këtyre me grupin e pacientëve që nuk kanë marrë fare këto ilaçe.

Studimi u krye pas raportimeve se ky kombinim ka ndikuar në shërimin më të shpejtë të pacientëve kinezë nga koronavirusi.

Njëzet nga 30 pacientët që e kanë marrë këtë trajtim ka rezoltuar se hidroksiti  i klorokuinit ka dhënë efekt, mirëpo efekti më i madh ka qenë atëherë kur është kombinuar edhe me antibiotikun.

Para pak ditësh Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës shkroi në Twitter: “HYDROXYCHLOROQUINE & AZITHROMYCIN, të marra së bashku, kanë një shans të vërtetë për të qenë ‘një nga ndryshuesit më të mëdhenj të lojës në historinë e mjekësisë’. FDA ka ‘lëvizur malet’ – Faleminderit! Shpresojmë se ato të bëra së bashku të vihen në përdorim”.

Loading...