Transmetuar më 28-03-2020, 19:55

Si rrallëkund tjetër, mjekët e Spitalit tonë Infektiv, janë në kontakt me rrjetet sociale dhe me mediat plot herë gjatë ditës duke hedhur foto, duke bërë selfie, foto dhe video në grup, mesazhe dhe videomesazhe, etj.

Ndër ta shumë aktiv, edhe mjeku infeksionist, Tritan Kalo. Ai sot kërkoi që shqiptarët të vazhdojnë të mbyllen të gjithë në shtëpi, pavarësisht nëse kanë halle dhe duan të nxjerrin bukën e gojës.

"Mos dilni në asnjë mënyrë nga shtëpitë tuaja pa ndonjë arsye madhore për shëndetin. E dimë që shumë prej jush janë në vështirësi ekonomike, por jeta e juaj është më e vlefshme se gjithçka", – thotë z.Kalo, i cili promovohet gjerësisht nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Kalo shpreh bindjen se "kjo ëndërr e keqe me emrin COVID-19 një ditë do të kalojë, por jetët tuaja të paçmimta askush nuk mundet t’ua rikthejë".

Kalo dhe Rama

Mesazhi i Kalos vjen në vijim të mesazheve të ngjashme që shpërndan kryeministri Edi Rama disa herë përditë, duke theksuar se nuk ka vdekur ndonjë shqiptar për bukën e gojës.

Deklaratat e Ramës bien në kontradiktë me evidencat informative dhe komunikatat policore ku në jo pak raste është raportuar për vdekje nga kequshqyerja e njerëzve të zhytur në mjerim. /b.l/noa.al/