Transmetuar më 28-03-2020, 21:09

Distanca prej dy metrash që po mbajnë njerëzit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit duket të mos jetë e mjaftueshme.

Një studim i ri i realizuar nga Instituti prestigjioz i Teknologjisë në Massachusetts, MIT, doli në përfundimin se stërkalat që dalin me kollën dhe teshtimën, në temperatura të lagështa dhe të ngrohta, mund të udhëtojnë me shpejtësi që arrijnë 10 deri 30 metra për sekondë dhe mund të krijojnë një re me përmasa shtatë deri në tetë metra.

Studiuesit gjithashtu paralajmëruan se stërkalat mund të qëndrojnë pezull në ajër për orë të tëra, duke ndjekur lëvizjen e ajrit që shkaktojnë sistemet e ftohjes dhe ngrohjes, duke iu referuar kështu kondicionerëve.

Pjesëza të virusit janë gjetur në sistemet e ventilimit të dhomave të pacientëve me koronavirus dhe ekipi i studiuesve të MIT beson se këto pjesëza kanë dalë jashtë në formën e reve.

Zyrtarisht, deri tani, njerëzit janë këshilluar të ruajnë një distancë midis 1 deri në 2 metra ose 6 këmbë) nga të tjerët kur janë duke pritur në radhë.

Për të shmangur përhapjen e virusit sidomos në supermarketet që vazhdojnë të jenë mjaft të frekuentuara, këshillohet përveç distancës, edhe që të bëhet pazar vetëm e jo në grup, të kufizohemi tek artikujt më të nevojshëm dhe të mbarojmë punë sa më shumë që të jetë e mundur, ose të përdoren blerjet online.