Si ndikon koronavirusi dhe karantina në psikologjinë e njeriut?/ Psikiatri gjerman shpjegon pasojat
Transmetuar më 31-03-2020, 11:53

Për shkak të pandemisë nga virusi në mbarë botën miliona njerëz nuk lejohen të dalin nga shtëpia. Por çfarë pasojash mund të sjell vetmia nga ana psikologjike? Psikiatri gjerman, Manfred Spitzer shpjegon më tej rreth këtij fenomeni.

“Duhet t’i shohim të diferencuara masa të veçanta. Së pari ne e dimë që karantina – forma ultimative e të qenit i vetëizoluar – faktikisht mund të shkaktojë shqetësime psikike edhe tek njerëzit fare normal. Ka studimet afatgjata lidhur me këtë, që tregojnë, se pas një karantine intensifikimi i shqetësimeve të tilla si frika, pagjumësia apo një çrregullim i stresit postraumatik është më i lartë. Nuk ka ndonjë dallim mes të moshuarve apo të rinjve, mes burrave apo grave. Të gjithë mund të vuajnë si pasojë. Ndaj rekomandimi për vendosjen e masave të tilla është, që ato te vendosen vetëm nëse janë detyrimisht të nevojshme.

Sa i përket distancimit social, janë bërë një sërë studimesh shkencore, se si iu bë ballë në anë të ndryshme të botës, kryesisht në Kinë, përhapjes së virusit të ri Corona. Në këto studime vërtetohet, se p.sh. kufizimi i udhëtimeve nuk sjell gjë, por në fakt distanca sociale vërtetë e influencon dukshëm kufizimin e përhapjes së virusit. Por vlen të theksoj, se social distancing në fakt nuk është zgjedhja e fjalëve saktësisht. Ajo që është e rëndësishme në këtë rast është physical distancing – pra distanca fizike”.

DW: Sa mund të zgjasin masa të tilla, në mënyrë që të mos shkaktohen dëme të tjera për shëndetin?

Këtë duhet ta vendosë secili individ për vete, se si është situata e tij. Më e rëndësishmja që çdo njeri për t’u përballur me virusin Corona është sistemi i tij i imunitetit. Ne dimë, se çfarë e forcon imunitetin e një nga faktorët është dalja në natyrë. Më e mira në vende ku nuk ka njerëz. Si p.sh. në pyll.

Dihet, është e vërtetuar që një shëtitje një orë në pyll e përmirëson dukshëm imunitetin. Qendrimi në shtëpi dëmton sistemin e imunitetit. Kjo është mjaft e rëndësishme sidomos për familjet me fëmijë.

DW: A mund t’i zëvendësojnë rrjetet sociale kontaktet sociale për njerëzit në izolim?

Unë i shoh me sy kritik rrjetet sociale. Por ato sigurisht në këto kohë janë një mënyrë për ta ruajtur kontaktin. Por, ju lutem, nuk duhet ndjekur gjithë ditët çdo marrëzi që përhapet në rrjetet sociale. Telefoni është ndoshta në këto momente mjeti më i mirë për të ruajtur kontaktet sociale. Tëitter dhe Facebook nuk janë fort të mira. Pikërisht shumë të huaj, me të cilët përballesh në këto platforma, nuk të bëjnë mirë.

Kontaktet mediale sociale funksionojnë më mirë, sa më mirë njerëzit e njohin njëri-tjetrin. Me gjyshen e gjyshin, me nënën e babain, me shokun apo shoqen e ngushtë fare mirë mund të telefonosh.

DW: Shumë njerëz angazhohen tani për të ndihmuar të moshuarit, duke u bërë atyre pazarin. Njëkohësisht ka edhe njerëz që kanë frikë dhe tërhiqen duke mos pasur guxim t’u ofrojnë ndihmë të tjerëve. Si shpjegohet kjo në psikologji?

Njerëzit janë të ndryshëm sa i përket nivelit të tyre të frikës. Ka gjithmonë njerëz, që kur dëgjojnë për një sëmundje, menjëherë izolohen dhe madje blejnë në panik. Por ka edhe të tjerë që nuk interesohen aspak. Ata dalin jashtë e takohen me miqtë. Ka edhe njerëz që situata të tilla i shfrytëzojnë në mënyrë kriminale për të fituar. Por shumica e njerëzve, të paktën 70 përqind, janë nga natyra pozitiv në raport me kontaktet sociale.

Personalisht gjatë këtyre ditëve dëgjoj vazhdimisht gjëra pozitive. Njerëzit bisedojnë me njeri-tjetrin duke ruajtur distancën dy metra dhe shpesh i urojnë njeri-tjetrin: qofshi me shëndet. Përpara katër javësh nuk përdorej kjo shprehje, Pra është një urim dhe ndjenjë përkujdesjeje për tjetrin. Mendoj që në këto ditë kjo shprehje nuk është thjesht kortezi, por më shumë, njerëzit e thonë atë të ndjerë dhe me seriozitet.