Transmetuar më 02-04-2020, 11:49

Kryeministri Edi Rama reagoi sot për kërkesën e opozitës që të nisë procedura e shkarkimit të tij pasi nuk ka deklaruar në Formularin e Dekriminalizimit se është ndaluar nga policia në Itali.

Në dy mesazhe në Twitter, z.Rama flet me nota letrare mbi kërkesën e PD, por në asnjë moment nuk i përgjigjet asaj. Rama as e konfirmon dhe as e mohon nëse është kryer procedurë ndalimi policor ndaj tij, kur thotë: "Unë flas me mediat italiane për racizmin antishqiptar në Itali gjatë viteve ’90, duke sjellë shembull një sherr me një polic në aeroport, po këta?! Këta flasin për formularin e dekriminalizimit ku s’paskam deklaruar ndalimin nga policia! O Zot pse nuk e pate mendjen kur i krijove këta, po i le si karabina pa mure, pa elektrik, pa ujë?! Ndërhyr Zot i madh se gjynah këta, po gjynah edhe ky popull që çfarë nuk dëgjon prej tyre!"

Në intervistën për Gazzeta Dello Sport, Edi Rama shprehej: “Një herë më kanë arrestuar në Bolonja, pasi u revoltova ndaj një polici, i cili pyeste një grua shtatzënë se çfarë kishte në bark. I afroi qenin dhe ajo, e cila nuk dinte italisht, ra në gjendje të fikëti”.

Reagimi i Ramës erdhi pasi më herët sot, zyrtari i PD, Oerd Bylykbashi publikoi si më poshtë:

"Rama deklaroi ne median italiane se vite me pare eshte arrestuar ne Bolonja sepse kishte kundershtuar nje punonjes policie.

‎Ka nje problem te madh me kete deklarim: eshte arrestuar nga policia. Kryeministri NUK e ka deklaruar kete arrestim ne formularin e Dekriminalizimit! Ne rast mosdeklarimi ligji dikton se ai humbet te gjitha funksionet publike. Edhe si deputet edhe si kryeminister! Ligji i Dekriminalizimit i kaluar me shumice te cilesuar nuk pezullohet me akt normativ as ne kohe lufte apo pandemie.

Sa per t’ia kulluar mendimet Kryeministrit, dy deputete jane larguar nga parlamenti per kaq gje. Thjesht sepse nuk deklaruan arrestin.

Edi Rama duhet te sqaroje urgjentisht nese ka genjyer per propagande se eshte arrestuar ne Bolonja pasi kundershtoi nje punonjes policie, ne te kundert institucionet duhet te nisin menjehere proceduren e parashikuar nga Ligji i Dekriminalizimit per mosdeklarim ne formularin e Dekriminalizimit te arrestimit nga policia".