Transmetuar më 02-04-2020, 14:47

Edi Rama dhe Olta Xhaçka nuk bënë transparencë pse i dhanë tenderin e ushqimeve një kompanie kompjuterash në Maqedoni.

Kështu thotë ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, i cili shton se gjuha e urrejtjes ndaj opozitës nuk i mbulon dot abuzimet.

Në një komunikim të sotëm publik, ai deklaroi se ka tre ditë që i kërkohet qeverisë që të bëjë transparencë për tenderin 1.5 milionë euro të ushqimeve, të bukës suaj.

“Pse ky tender iu dha një kompanie kompjuterash në Maqedoni? Kush fshihet pas saj? Për 3 ditë Edi Rama dhe Olta Xhaçka heshtën. Asnjë fjalë, asnjë përgjigje. Sot, pas 3 ditësh, në vend të transparencës, Xhaçka sulmoi me gjuhë urrejtje opozitën. Ju të gjithë e dini thënien “mbrojtja më e mirë është sulmi. Por sulmi me shpifje vetëm zbulon sa nervozë janë Rama dhe Xhaçka. Zbulon se po fshehin të vërtetën e skandalit me 1,5 milion euro të shqiptarëve, për ushqimet e njerëzve në nevojë, që i janë dhënë një kompanie kompjuterash pa asnjë lidhje, në Maqedoni”, u shpreh Alibeaj.

Më tej shtoi se Rama dhe Xhaçka e kanë për detyrë t’u përgjigjen pronarëve të 1.5 milionë eurove, që janë taksapaguesit shqiptarë:

– Pse, mes 35 000 kompanive shqiptare që merren me furnizimin e ushqimeve, zgjodhi për t’i dhënë 1,5 milionë euro, kompanisë së kompjuterave nga Maqedonia?

– Pse ia dha tenderin një kompanie maqedonase, e cila shtoi si subjekt tregtinë e ushqimeve vetëm 6 ditë para tenderit?

– Kush fshihet pas kësaj afere? Kush po përfiton në kurriz të njerëzve në nevojë?

Sipas tij, asnjë sulm me gjuhë urrejtje dhe asnjë shpifje kundër opozitës që po mbron interesat e shqiptarëve, nuk mbulon apo justifikon abuzimet me paratë e shqiptarëve në këtë kohë lufte.

Alibeaj tha se vjedhja dhe abuzimi me paratë dhe bukën e shqiptarëve duhet të marrin ndëshkimin e merituar dhe se SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm duhet ta lënë karantinën dhe të nisin menjëherë hetimin e kësaj çështje. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE