Transmetuar më 03-04-2020, 17:41

Ish-deputeti i PD Oerd Bylykbashi ka reaguar në lidhje me vendimin e qeverisë, që biznesi i vogël dhe personat e mbetur pa punë, të mos paguajnë qira gjatë kohës së karantinës. Bylykashi shprehet se ky është një vendim arrogant, i një kryeministri që Kushtetutën e ka bërë leckë.

“Deri më 21 korrik 2016 kishim Kushtetutë, gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë. Më pas erdhi ai votimi i famshëm me 140 vota për ndryshimet kushtetuese më 22 korrik 2016. Pas asaj dite vdiq Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, po vdesin gjykatat e tjera. Por deri dje, nëse kontratën e qirasë e shkelte dikush, mund të ankoheshe në gjykatë.

Që nga dje, jo më! ‎Që nga dje Gjykata Supreme është Edi Rama Kryeministër. Ai është edhe kolegj penal e të dënon, edhe kolegj civil dhe të shfuqizon kontratën private të bazuar në Kod Civil. Këtë budallallëk në Italinë fqinje as që e shkojnë nëpër mend. Edhe Dekretligji për pandeminë atje nuk ka guxuar të bëjë këtë. Por njerëzit atje me mirëkuptim kanë rinegociuar kushtet e qirave.

Urdhëri për mospagimin e qirave nuk është thjesht një budallëk antikushtetues. Është forma më e fundit e arrogancës së një Kryeministri që Kushtetutën e ka leckë për këpucët", shkruan Bylykbashi.

Më tej ai thekson se kontratat e qirave mes privateve bazohen në Kodin Civil dhe akti normativ ka zero fuqi ‎mbi ato kontrata sepse ai akt nuk pezullon dot Kodin Civil. "Kush nuk paguan sot qeratë do të duhet ti paguajë një më një më vonë vlerën mujore të qerasë. As gjobat sa pesë fishi i qirasë nuk kanë asnjë vlerë. Ja, do kalojë gjendja e jashtëzakonshme dhe akti normativ do hidhet në kosh, por detyrimi për qeratë e papaguara mbetet i pashlyer.

Nëse ndokush do që të shtyjë apo pezullojë pagesën e qirasë duhet të negociojë duke përdorur klauzolën e "forcës madhore". Fundja njerzillëku nuk ka vdekur dhe të gjithë jemi koshientë për situatën. Nëse ka mosmarrëveshje, përsëri në gjykatë do të përfundojnë dhe aty akti normativ nuk pi ujë para Kodit Civil, se kështu ka vendosur Gjykata Kushtetuese që në 2013.

Pagesa e qerasë është e padiskutueshme. Qiramarrësit nuk mund të detyrohen të paguajnë kamatvonesa, penalitete të tjera apo tu merren garancitë e lëna sepse vështirësitë janë objektive, të përgjithshme dhe të paparashikueshme kur u hartuan kontratat".

Sipas tij, "Po të dojë, le t’ia ulë Qeveria qiramarrësve barrën e qirasë duke ia njohur vlerën e qirasë si kredi për detyrimet tatimore siç bën Italia. Le t’ia lehtësojë barrën duke ua kthyer qiramarrësve si subvencion tatimin e fitimit mbi qiratë që qeveria ia merr pronarëve të pronave me qira. Dhe nëse nuk pezullon me ligj taksën e pronës që mbledhin bashkitë, t’i lehtesojë qiramarrësit duke i subvencionuar në vlerën taksës së pronës që shteti ua merr pronarëve dhe që këta të fundit e shkarkojnë tek vlera e qerasë.

Siç e tha një deputet socialist sot (Zoti na ruajt nga të tillë) , nëse një pronar ka pesë apartamente ku strehohen peseë familje, qeveria socialiste do të mbrojë pesë familjet në dëm të pronarit. Me këtë logjikë iu morën shtëpitë e mëdha pronarëve në 1945 dhe në to u strehuan të tjerët, derisa u nxorrën përfundimisht në vitin 2012 me akt normativ që vuri të drejtat në vend.

Edi Rama nuk bën dot sevap me pronat, paratë dhe të drejtat pronësore të të tjerëve‎. Nëse pranohet sot në heshtje kjo që ky propozon, mos u habisni që të nxjerre Tatimin e Jashtëzakonshëm për Qiratë. Dhe kush nuk paguan, t’i sekuestrohet prona. Fundja ai e ka parashikuar në Aktin Normativ të fatkeqesisë natyrore që pronat mund të shtetzohen pa kundërshpërblim. Mos u çudisni fare, sepse ligjet për pronat deri më sot kanë rikthyer rishpronësimet e pronarëve.‎

Qiratë në vlerën e dakordësuar do paguan pavarësisht Edi Ramës. Pronar me pronat e privatëve dhe gjyqtar i kontratave private Edi Rama nuk ka për t’u bërë dot asnjëherë.‎ Populistët që shesin dëngla duke i justifikuar këto masa me pandeminë, përbuzini si të mjerë që i është djegur bishtuku i llampës".