Transmetuar më 06-04-2020, 10:48

“Kryeministri me propagandën hipokrite ndaj mjekëve dhe infermierëve po fsheh shfrytëzimin çnjerëzor të tyre”.

Kështu thotë ish-deputetja demokrate Albana Vokshi, e cila deklaron se numri i mjekëve dhe infermierëve të prekur nga COVID-19 rritet çdo ditë dhe se Shqipëria zë vendin e parë në botë për numrin e personelit mjekësor të infektuar me koronavirus, 14%, duke lënë pas edhe Italinë dhe vendet e tjera të prekura nga pandemia.

“Një mjeke denoncoi publikisht autoritetet shëndetësore se i kishin refuzuar kërkesën për të bërë analizën COVID-19, kur ajo u kishte referuar kolegëve simptomat e virusit. Disa herë kishte telefonuar 127-ën, për të kërkuar një tampon. Por siç duket 127-a nuk bën analiza pa pëlqimin e “babës…” ! Për Ramën, tamponi është më i shtrenjtë se jeta e një mjekeje, infermiereje, apo qytetari, por ky rast i denoncuar i çjerr maskën e propagandës për mjekët”, shkruan Vokshi.

Më tej shton se para disa ditësh, shefi i Laboratorit të Mikrobiologjisë në QSUT rezultoi pozitiv me COVID-19 dhe se prej disa ditësh kolegët e tij të laboratorit ne të cilët ka qenë në kontakt me të, kërkojnë të bëjnë analizën për të mësuar nëse janë prekur ose jo edhe ata.

Por autoritetet refuzojnë duke vënë në rrezik jo vetëm jetën e tyre, por edhe të familjarëve të tyre dhe të dhjetëra pacientëve, sipas saj, të cilët ju nënshtrohen analizave në këtë laborator për shërimin e plotë ose jo nga koronavirusi.

Vokshi shton se personeli i laboratorit është lënë gjithashtu pa asnjë masë mbrojtëse dhese ata janë pajisur me veshjet mbrojtëse vetëm një ditë sa për fotot dhe videot e urdhëruara nga ministrja e propagandës shëndetësore.

“Po, nëse personeli mjekësor sëmuret, a e di Rama të thotë kush do t’i bëjë analizat në laborator? Kush do të shërbejë, mjekojë e kujdeset për pacientët? Në PD vijnë çdo ditë dhjetëra mesazhe e telefonata nga mjekë, infermierë që qëndrojnë të sëmurë me ditë të tëra, në shtëpitë e tyre të izouar, të frikësuar për familjarët e tyre e të braktisur nga shteti që ju refuzon edhe tamponin. A e di Rama dhe ministrja e tij e Shëndetësisë se sa janë dhjetëra mjekët dhe infermierët që qëndrojnë në shtëpi me qira e në hotele për të mbrojtur familjarët e tyre nga infektimi?”, deklaron Vokshi.

Ajo shton se sot, mjekë e infermiere janë krejt të pambrojtur, ndaj sugjeron testimi periodik i stafit mjekësor në spitale e qendra shëndetësore është emergjencë.

Vokshi bën thirrjen e fortë se testimi urgjent i personelit mjekësor në spitalet Covid, personelit mjekësor të urgjencave në QSUT, i stafit të laboratoreve, i mjekëve në qendrat shëndetësore duhet të jetë prioriteti #1 i Qeverisë.

“Testimi, gjurmimi, trajtimi dhe izolimi i rasteve janë mënyra e vetme për kufizimin e përhapjes së koronavirusit. Për Kryeministrin, mjekë e infermierë janë thjesht numra, ata i shërbejnë për propagandë. Por propaganda nuk mbron jetë. Përkundrazi, në këtë situatë, rrezikon jetë. Nëse nuk mbrojmë jetën dhe shëndetin e stafit mjekësor, rrezikohet jeta dhe shëndeti i çdo qytetari”, thotë në mbyllje, Albana Vokshi. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE