Transmetuar më 06-04-2020, 17:12

Gjykata e Apelit në Gjirokastër ka rrëzuar argumentet e prokurorisë për Henri Çilin.

Me vendimin e sotëm Çili lihet në "detyrim paraqitje", duke vijuar i lirë.

Në të njëjtën masë sigurie janë edhe 11 persona të tjerë, të cilët u arrestuan gjatë operacionit "Mezhgorani".

Henri Çili u shoqërua për në polici më 28 shkurt dhe pas dy ditësh qëndrimi në qeli, u la i lirë me masën e sigurisë ‘Detyrim Paraqitje’.

Fillimisht u bë shoqërimi i botuesit në policinë e Tiranës dhe më pas u dërgua në Policinë e Gjirokastrës. Hetimet ndaj tij kanë nisur që në shtator 2019, për veprat penale: Ushtrim i paligjshëm i ndikimit te organet e drejtësisë, mashtrim, falsifikim, pastrim parash.

Pasi u dha masa detyrim paraqitje, Çili dha versionin e tij të ngjarjes, ku deklaroi se do të ishte mirë që të hetohej në gjendje të lirë sepse nuk është është person i rrezikshëm.

Në deklaratën për mediat, mohoi akuzat që janë ngritur ndaj tij duke thënë:

Akuza 1-Mashtrim

Në kuadër të veprimtarisë time si ortak mazhoritar i studios ligjore nuk kam kryer asnjë veprim të paligjshëm dhe specifikisht në lidhje me akuzën e parë nuk kam mashtruar askënd për asnjë arsye dhe për asnjë çështje. Është një marrëdhënie shërbimi mes studios legale dhe personit të kontaktuar, të afërm në procese gjyqësore për shkallën e tretë janë bërë kontakte dhe biseda për të konkluduar në një kontratë shërbimesh në një moment të dytë, shërbime juridike në funksion të gjësë bazë që ka një studio ligjore, mbrojtja ligjore, për klientë të ndryshëm për çështje në shkallën e tretë.

Akzua 2- Falsifikim

Nuk kam falsifikuar asnjë dokument dhe nuk ekziston asnjë dokument i falsifikuar. As kam nënshkruar dhe as kam marrë pjesë në përpilimin e ndonjë akti për të falsifikuar një dokument të pretenduar nga prokuroria.

Akuza 3-Fshehja e të ardhurave

Nuk kam fshehur asnjë të ardhur. Sepse në të dy çështjet që dyshohet se kam kryer shkelje ligjore për një arsye të thjeshtë sepse nuk kam realizuar asnjë arkëtim, asnjë kontratë shërbimi për arsyen e thjeshtë se në të dy rastet kemi qenë në fazën e negocimit.

Akuza 4-Ushtrim i ndikimit të paligjshëm

Nuk kam takuar asnjë gjykatës, as unë dhe as avokatët. Nuk kam takuar asnjëherë në jetë asnjë gjykatës për të ndikuar në vendime.  Në funksionin tim si botues mund të takoj edhe njerëz të drejtësisë, por jo për ndikim.

Është bërë me vullnet të lirë, janë paguar taksat, mes meje dhe Fishtës. Kemi folur me zotin Fishta për të zhvilluar shkolla vere, kontakti me zotin Fishta ka marrë shkas nga lidhja miqësore me një nga klientët e mi, por nuk lidhen fare me çështjen Aliko./a.m/noa.al