Transmetuar më 06-04-2020, 19:28

Në Korenë e Jugut, 51 pacientë të shëruar nga koronavirusi kanë rezultuar sërish pozitivë, duke shtuar kështu frikën se virusi mund të aktivizohet sërish.

Këta pacientë, të cilët janë nga qyteti më i goditur i vendit, Daegu, u vendosën në karantinë pasi rezultuan pozitivë dhe testi i mëvonshëm i nxori negativë dhe u rikthyen në shtëpitë e tyre.

Por raportohet se ata i janë nënshtruar sërish testeve dhe rezultuan sërish pozitivë, disa ditë pasi kishin dalë nga karantina.

Sipas gazetës britanike Daily Mail, autoritetet shëndetësore në Korenë e Jugut, thanë se me shumë gjasa, virusi ishte aktivizuar sërish duke bërë që pacientët të infektohen sërish.

Specialistë të shumtë të sistemit shëndetësor në vend, mendojnë se virusi mund të qëndrojë i përgjumur në nivele të pakapshme në qelizat njerëzore.

Ata shtojnë se për arsye ende të panjohura, grimca virale mund të riaktivizohen, duke hedhur dyshime se ky është shkaku që pacientët janë infektuar sërish. /e.i/noa.al/