Meta vazhdon axhendën si President, Rama vijon izolimin si kryeministër
Transmetuar më 07-04-2020, 15:24
Ilir Meta, Voltana Ademi

Me një axhendë të përditshme, takime dhe biseda të drejtpërdrejta në terren, kryetari i shtetit Ilir Meta, po përballet me situatën e koronavirusit duke shkuar atje ku janë problematikat që shqetësojnë qytetarët, përballë kryeministrit i cili prej një muaji ka zgjedhur të shmangë thuajse totalisht daljet publike, përveçse nga shtëpia dhe zyra e tij.

Këto dy fakte që përplasen me njëra-tjetrën ngrenë pikëpyetjen përse ka dy standarde të ndryshme në mënyrën si po punohet nga Presidenti i Republikës dhe kryeministri i vendit.

Jo më larg se sot në drekë, Presidenti Meta zhvilloi vizitë pune në Shkodër, një ditë pasi kryeministri alarmoi shqiptarët duke thënë se Shkodra është kthyer në një bombë me sahat dhe rreziku i shpërthimit të infeksionit edhe më shumë, është tejet i lartë.

Meta tha se pikërisht nisur nga situata, shkoi sot në Shkodër, për të parë nga afër gjendjen dhe për të konstatuar nëse janë marrë masa për pandeminë COVID-19.

Presidenti u takua me Prefektin e Qarkut, njëherazi Kryetar i Komisionit lokal të Emergjencave, Çesk Millja, Drejtorin e Shëndeti Publik Dr.Astrit Beci dhe me kryetaren e bshkisë, Voltana Ademi.

Menjëherë më pas, u takua me gazetarët dhe foli mbi situatën. Ai kërkoi bashkëpunimin dhe punën e të gjitha hallkave shtetërore për të përballuar situatën, me qëllim “rikthimin në normalitet të jetës sa më parë të jetë e mundur”.

Në deklaratën për gazetarët, Meta duket se ftoi edhe Ramën ashtu si Monika Kryemadhi pak ditë më parë që të bëjë testin, kur tha: “Askush të mos ndihet fajtor dhe të rrezikojë duke mos bashkëpunuar për të bërë testin apo për të mos realizuar procesin e karantinimit në rastet e dyshuara! Pasi nuk është turp që të kesh COVID-19. Është turp që të jesh i pakujdesshëm dhe t’ua transmetosh njerëzve të tjerë, familjes, fqinjëve dhe të gjithëve me radhë”.

Në anën tjetër, Rama po vazhdon me strategjinë e qëndrimit në izolim, duke mos dalë në terren për të parë nga afër si po aplikohen masat e pushtetit vendor dhe qendror dhe si po zbatohen ato nga qytetarët.

Është e vështirë të kuptohet pse po ndodh kjo, në kushtet kur detyra për daljen në terren i takon drejtuesit të pushtetit ekzekutiv, pra kryeministrit, sesa kryetarit të shtetit, pra Presidentit që dihet se ka më së shumti pushtet honorifik. /noa.al/

Loading...