VIDEO/ 50 vjet nga Apollo 13, arritja më e madhe e NASA ishte parandalimi i katastrofës
Transmetuar më 12-04-2020, 05:16

Një nga arritjet më të jashtëzakonshme të programit amerikan të hapësirës NASA nuk ishte arritja e një synimi, por parandalimi i një katastrofe 50 vjet më parë, kur një mision për të zbritur në hënë mori një drejtim tejet të gabuar. Përmes intervistave me astronatutë të misionit Apollo 13 dhe pjestarë të drejtimit të misionit, gazetari i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh sjell nga afër “dështimin e suksesshëm” të NASA-s, ndërsa sytë e botës ishin përqendruar tek astronatutët që ishin në një rrezik shumë të madh.

Në kohën kur misioni i tretë amerikan për të zbritur në hënë – Apollo 13 u nis me 11 prill 1970, udhëtimi drejt planetit shkëmbor dukej po aq i rëndësishëm sa shkuarja në punë. Jim Lovell ishte komandant i misionit Apollo 13.

“Më duket se gazeta New York Times e përmendi lajmin në faqen 67. Kishte shumë pak gazetarë në Qendrën Hapësinore Johnson.”

Tre ditë pas fillimit të misionit, kjo ndryshoi kur një shpërthim i tmerrshëm tronditi anijen hapësinore me astronatutët Jim Lovell, Jack Swigert dhe Fred Haise.

“Ishte një zhurmë e madhe me jehonë metalike në anijen hapësinore. E kuptuam që diçka e keqe kishte ndodhur”, thotë astronauti Fred Haise.

Në Qendrën Hapësinore Johnson në Hjuston të Teksasit, drejtori i fluturimit Gene Kranz u përpoq me gjithçka që të ndryshonte situatën në bordin e anijes hapësinore.

“Kishim tre astronautë në një anije hapësinore të dëmtuar 320 mijë kilometra larg tokës që shkonte drejt hënës.”

Rikthimi i tyre gjallë do të nënkuptonte punë pa pushim për zgjidhjen e problemeve dhe braktisje të misionit për të cilin ata ishin trajnuar.

“U mërzita shumë sepse e dija që nuk do të ishim në gjendje të uleshim në hënë”, thotë astronauti i Apollo 13 Fred Haise.

Ndërsa bota ndiqte krizën në radio dhe televizion, shprehja e zotit Kranz se “Dështimi nuk është zgjidhje” u bë titulli i librit që ai do të shkruante më vonë.

“Kriza zgjati katër ditë dhe vëmendja e botës u përqendrua më shumë tek kjo ngjarje sesa disa misione të tjera në të cilat u përqendruam ne.”

Buzz Aldrin është astronaur i misionit Apollo 11. “Ekipi ishte i trajnuar për raste të tilla si dhe shumë gjëra të tjera. Ata bënë detyrën me shumë merita dhe si rezultat ekuipazhi dhe anija u kthyen të sigurtë në tokë.”

Astronauti Jim Lovell ka qënë drejtor i misionit Apollo 13. “Vite më vonë, kur vëndosëm të shkruanim një libër rreth Apollo 13, u ndjeva se fluturimi ishte dështim, në një aspekt, por në anën tjetër ishte triumf se si njerëzit mund të tjetërsojnë një katastrofë pothuajse të sigurtë. Ekipi i qendrës së kontrollit dhe ekuipazhi i anijes, duke punuar sëbashku, duke gjetur zgjidhje për një krizë që nuk kishim planifikuar apo trajnuar, dhe kthimi i anijes në tokë.”

Libri i z. Lovell me titull “Lost Moon” është baza mbi të cilën është ndërtuar filmi i vitit 1995 “Apollo 13” me aktorin Tom Hanks në rolin e Lovell.