Qeveria italiane jep miratimin, skuadrat e Serie A gati të kthehen në fushë
Transmetuar më 03-05-2020, 20:33

Qeveria italiane jep miratimin dhe skuadrat e Serie A janë gati të kthehen në fushë për të rinisur stërvitjen. Ministria e Brendshme përtej Adriatikut i shpërndau prefekturave rregullat e reja, që hyjnë në fuqi prej kësaj të hëne, datë 4 maj.

“Lejohet aktiviteti individual në zona publike apo private për sportistët dhe jo-sportistët e disiplinave ekipore. Kjo duhet të realizohet duke respektuar distancimin prej dy metër, çdo lloj tubimi është i ndaluar”, shkruhej aty.

Menjëherë pas vendimit të ministrisë, klubet e elitës së futbollit italian kanë nisur përgatitjet për t’u kthyer në fushë.

Sassuolo është klubi i parë që vendosi të nisë stërvitjet prej fillimit të javës, me lojtarët që do të punojnë në mënyrë individuale, por në fushë. Napoli njoftoi se të gjithë lojtarët, duke përfshirë edhe kapitenin kuqezi, Elseid Hysaj do të kryejnë tamponin, ndërsa Interi, ashtu si Bolonja ka zgjedhur të martën për të nisur stërvitjet në kuadër të rinisjes së kampionatit.

Lacio e Tomas Strakoshës  i ka planifikuar të mërkurën, ndërsa Juventus dhe Milan ende nuk kanë dalë me njoftim zyrtar.

Loading...