Ministri Klosi: Në fund të majit vijnë çarterët e parë me turistë, kufiri tokësor do të hapet më parë
Transmetuar më 06-05-2020, 23:14

Shqipëria synon të jetë vendi i parë në rajon por edhe më gjerë që pritet të hapë turizmin. Ministri i Turizmit, Blendi Klosi duke folur në Euronews Albania tha se vendi ynë në krahasim me Greqinë dhe Turqinë favorizohet nga numri i kontrollueshëm i hoteleve. Z. Klosi tha se parashikon që çarterët e parë me turistë të huaj të mbërrijnë në fund të këtij muaji, ndërkohë që do të synohet që kufiri tokësor të hapet përpara kësaj date për të pasur më shpejt turistë nga vendet e rajonit.

“Nuk do të kemi shifrat e vitit 2019, por do të kemi turistë të huaj këtë sezon. Bashkë me ministrin Ahmetaj, do t’i propozojmë qeverisë hapjen e kufijve tanë tokësorë për të pasur mundësinë e lëvizjes së turistëve nga vendet fqinje dhe do të synojmë që në fund të majit të kemi çarterët e parë me turistë të huaj. Janë disa vende që janë të gatshme të dërgojnë çarterë nëse ne i garantojmë standardet e higjienës. Po synojmë hapjen e parë në rajon”, deklaroi ministri i Turizmit.

Ai shtoi më tej se nuk do të ketë një datë fikse për çeljen e sezonit turistik pasi data do të jetë dita kur do të mbërrijë çarteri i parë me turistët e huaj. Z. Klosi tha se do të synohet së pari një turizëm rajonal për të shpëtuar sektorin nga kriza. Lidhur me ligjin që do të përcaktojë rregullat për funksionimin e plazheve, ai tha se pritet të jetë gati brenda kësaj jave. Por, Klosi bëri apel për ndërgjegjësim si për bizneset dhe vetë qytetarët.

“Kur flitet për dy shezlonge flitet për distancim nga familja në familje, nuk kërkohet për njerëz që jetojnë së bashku. Kemi kërkuar që të mos mbajnë shezlong fare pasi konsiderohen si objekte që mund të mbajnë virus. Ajo që duam të themi është se lufta kundër kësaj pandemie nuk mund të bëhet vetëm me rregullat që vendos shteti, por duhet të kemi sensibilizim dhe qytetarët vetë të tregojnë përkujdesje”, u shpreh ai.

Ndërsa Fatos Çerenishti, përfaqësues i sektorit hotelier, u shpreh se plani është mëse i realizueshëm, por shtoi se do të kërkohet nga pushteti lokal ulje e tarifave për shfrytëzimin e hapësirës së vijës bregdetare. “Distanca do të jetë gati 30%, plazhi do të shfrytëzohet 70% e asaj që është shfrytëzuar një vit më parë. Jemi duke diskutuar me pushtetin vendor që të jenë 30% më pak çmimet për hapësirën e sipërfaqes së rërës”, u shpreh ai.

Z. Çerenishti tha më tej se pavarësisht se kanë bërë oferta, është e vështirë për të pasur turistë në këtë kohë pasi ende nuk lejohet lëvizja për të kaluar fundjavën jashtë qarkut ku jeton. Ai shtoi se megjithatë, 50% e stafit ka nisur punën për t’u përgatitur për nisjen e sezonit në fillim të qershorit.

Sa i takon ndihmës së qeverisë, ofrimin e pagës prej 40 mijë lekë për punonjësit, theksoi se nuk e ka marrë këtë ndihmë ende. “Çdo ndihmë sado e vogël duhet me thënë faleminderit, por absolutisht që jemi të pakënaqur. Qoftë dhe paga e "luftës", 40 mijë lekëshi, sepse akoma ecet me hapat e breshkës. Punonjësit thonë pse nuk na i jep, ndërkohë që ka ngërçe me tatimet. Vazhdojmë me ankesa, aktualisht nuk i kemi marrë”, tha ai.

Loading...