VIDEOREPORTAZH/ Si do të mbijetojë turizmi në Durrës në këtë kohë koronavirusi
Transmetuar më 09-05-2020, 00:35

Është maj, muaji kur njerëzit dalin nga plogështia e stinës së kaluar dhe mendojnë e përgatiten për stinën e re. Durrësi, ky kryeqytet i turizmit, vijon të përjetojë plogështinë, që sivjet nuk vjen nga dëshira për t’u bërë gati për një sezon të ri, por nga kushtet në të cilat e futi vendin dhe gjithë globin pandemia e rrezikshme e COVID-19.

Njerëzit e kësaj zonë nuk janë të gjithë të një mendjeje. Ka nga ata që pesimizmin e shfaqin dhe duket se janë në prag të dorëzimit pa kushte. Iu janë anuluar të gjitha prenotimet, kanë detyrimin për të kthyer mbrapsh parapagimet e klientëve nga shoqëritë turistike të udhëtimit, kanë pushuar njerëzit nga puna dhe ia kanë lenë qeverisë t’i paguajë me “pagën e luftës” dhe nuk shikojnë dritë në fund të tunelit.

Ka të tjerë që janë ndryshe, që optimizmin e shfaqin në angazhimin për të vijuar edhe në kushtet e mbijetesës dhe që e quajnë një sfidë përballimin e asaj që po ndodh dhe që shumica nuk e dinë akoma se si do të vijojë. Ka shpresë, sikundër ka edhe përpjekje se pavarësisht se kushtet nuk favorizojnë si vitet e tjera, të paktën të mos falimentojnë. Dy goditje nuk janë pak: në fillim tërmeti i nëntorit dhe pastaj COVID-i i marsit e në vijim.

*** Alban Isteri, kryetari Dhomës së Tregtisë së Durrësit, Qarku i tretë ekonomik më i rëndësishëm i vendit me rreth 13 për qind të ndërmarrjeve në rang vendi dhe që prodhon jo më pak se 10 për qind të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm të vendit, thotë pak a shumë se tani vetëm qeveria mund të ndihmojë rimëkëmbjen e kryeqytetit të turizmit.

Shqipëria është veçanërisht e ekspozuar ndaj rënies ekonomike të pandemisë për shkak të mbështetjes së saj të fortë te turizmi dhe marrëdhënieve të saj intensive ekonomike me disa ekonomi të prekura rëndë nga BE. Durrësi po ashtu. Qeveria mori masa të mbështetjes financiare për sektorin e shëndetit, bizneset dhe familjet e prekura deri më tani në rreth 300 milion EUR ose rreth 2.2% të PBB-së, ndërsa pret humbje të mëdha të të ardhurave prej rreth 540 milion EUR në gjysmën e parë të vitit 2020.

Eduard Xhepa një nga investitorët e njohur turistike në Durrës ka pritshmëri, por jo shumë optimizëm. Ai po përgatitet gjithashtu për sezonin e ri turistik, edhe pse nuk e di se sa do të plotësohet pritshmëria, sepse janë kushtet ato që pengojnë dhe jo përgatitje e biznesit.

Në hotelet e mëdha janë hequr nga puna numri më i madh i të punësuarve për shkak të situatës të krijuar, kur aktiviteti i hoteleve ndaloi dhe kur u pezulluan pothuajse të gjithë prenotimet për akomodim dhe frekuentim të hoteleve, bareve dhe restoranteve. Për dy muajt mars-prill numri total i të larguarve nga skema e sigurimeve (përfshirë turizmin) sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ishte 61 mijë persona.

Turizmi dhe Durrësi kishin pjesën e tyre në këtë numër të madh. Sigurisht ata u paguan dhe po paguhen nga autoritetet me pagën e luftës, sikundër ka filluar të quhet një pagë e barabartë me pagesën e papunësisë për të gjithë ata që veprimtarinë ekonomike e kanë të pezulluar me vendim të qeverisë.

Shumica e të punësuarve në sektorin e turizmit janë sezonale. Sipas shoqatës shqiptare të Turizmit, në total numri i të punësuarve në sektorin e turizmit është 100 mijë, ku 60 mijë janë sezonalë. Këta punonjës punojnë për periudhën maj dhe shtator në turizëm dhe kanë mbetur jashtë paketës të ndihmës. Deti është i qetë në Durrës, por pas disa javëve karantinë, njerëzit dhe marrëdhënia me botën jashtë, duken si një deti tjetër, i trazuar. Po punët kanë nisur. Më të guximshmit nuk kanë munguar të bëjnë ritualin, të fillojnë të përgatiten për sezonin turistik, edhe pse nuk janë shumë të sigurt për atë që vjen.

Turizmi, që ndryshe quhet industria tërheqëse për shumë sektorë të tjerë, ka filluar dhe do të vijojë të japë efekte në sektorë të ekonomisë. Autoritetet po përpiqen ta zbusin këtë ndikim. Një vend bosh në avion apo dhomë bosh në hotel janë humbje ekonomike dhe shtyrja e afateve është shpresë për muajt e ardhshëm, por e nuk rikuperon humbjen e tanishme. Rezultatet më të fundit të vitit të kaluar, 2019, flisnin për optimizëm.

Vende si Mali i Zi shënoi me 21% rritje të të ardhurave turistike. Bosnja dhe Hercegovina regjistruan një rritje dyshifrore për vitin 2019. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut gjithashtu patën rritje të mbërritjeve, si dhe Serbia, e cila për këtë vit ishte destinacioni me rritjen më të shpejtë për udhëtarët kinezë falë politikës pa viza.

Sivjet, situata pandemike ka prekur dhe goditur rëndë të gjithë sektorin në rajon dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në fillim të muajit prill 2020, thotë se operatorët dhe agjencitë që ofrojnë turizmin dhe kanë kontrata, shumë udhëtime i kanë anuluar.

Turizmi vendas shihet si e vetmja shpresë. Media ka lajmëruar se sipas matjeve të ndikimit të pandemisë, rezulton 45% ulje e turizmit ndërkombëtar deri më tani dhe nëse parashikohet se kjo gjendje do të vazhdojë deri në shtator, atëherë kjo shifër do të shkojë 70%. Turizmi i brendshëm sigurisht që është prekur, por mbetet e vetmja shpresë për të luajtur një rol vital në periudhën e rimëkëmbjes.

Shqipëria ka në tryezë tre opsione për turizmin. Ai i brendshëm, ai i koordinuar me vendet e rajonit, si dhe ai përtej këtyre kufizimeve. Teksa opsioni i parë është në dorën tonë, dy të tjerët varen nga vullneti i qeverive të Ballkanit për të koordinuar masa të përbashkëta dhe Bashkimi Europian për të vendosur mbi kufijtë. Strukturat hoteliere dhe tur-operatorët shprehen se janë të gatshëm për të pritur turistë në çdo moment që jepet drita e gjelbër dhe theksojnë se zbatimi i protokolleve të reja nuk do të jetë problem.

Të gjithë bien dakord se ky nuk do të jetë një vit që do të gjenerojë fitime për industrinë, por synojnë të paktën të sigurohet mbijetesa e sektorit. Sytë, së fundmi, janë drejtuar nga Kosova ku tregu po testohet me paketa të reja ndërkohë që çmimet priten të jenë të ulëta. Optimizëm i kursyer, por edhe angazhim për të pritur turistë në kohën më të vështirë të mundshme, atë të pandemisë. Durrësi gjithsesi po punon për shpresën dhe mbijetësen!