Transmetuar më 27-05-2020, 19:25

Projektligji i propozuar nga opozita e re në kuvend për lustracionin u rrëzua nga maxhoranca socialiste me 13 vota në Komisionin e Ligjeve. Nëse miratohej, atëherë automatikisht përjashtohej ish-kryeministri Sali Berisha nga politika dhe nga listat e kandidatëve për deputetë në vitin 2021, si dhe të gjithë politikanët e tjerë, të cilët kanë ushtruar disa funksione gjatë regjimit komunist, duke përfshirë edhe Gramoz Ruçin, i cili ka qenë ministër i Brendshëm në vitet e fundit të diktaturës.

Në diskutime u tha se ky është një ligj i domosdoshëm për shkak se pas 30 vitesh nga rrëzimi i komunizmit nuk mund të ketë në poste të rëndësishme individë që i kanë shërbyer regjimit dhe se largimi i tyre nuk shkakton vakuum për shkak se janë një numër i vogël.

Ulsi Manja u shpreh se për sa kohë këta individë vazhdojnë të votohen nga qytetarët, nuk ka arsye që legjislacioni t’i privojë nga kandidimi.

Projektligji, nismë e 21 deputetëve të opozitës parlamentare, u prezantua nga z.Myslym Murrizi, i cili u bëri të ditur deputetëve të komisionit arsyet e sjelljes së  kësaj nisme ligjore në Kuvend. Sipas tij ka ardhur koha që pas 30 vitesh post komunizëm, nisur edhe nga dy kërkesa të njëpasnjëshme të Këshillit të Europës për dënimet ndërkombëtare të krimeve të regjimeve totalitare  komuniste, në Shqipëri të ketë një ligj që e ndan përfundimisht nga e kaluara komuniste. Më tej z.Murrizi nënvizoi se shqiptarët meritojnë që  në organet e reja të drejtësisë, të ngritura në zbatim të  Reformës në Drejtësi, të mos ketë ish-hetues, ish-prokurorë apo ish-gjykatës të kohës së komunizmit.

Deputeti Alket Hyseni gjatë relatimit të tij bëri një historik të shkurtër për ligjin e lustracionit  në Shqipëri që prej vitit 1993 deri më sot, si dhe standardet ndërkombëtare në këtë fushë, duke u bazuar tek Rezoluta nr.1096, e vitit 1996 e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Për masat për çrrënjosjen  e trashëgimisë së ish-sistemeve totalitare komuniste”.

Më tej duke iu referuar përmbajtjes, z.Hyseni vlerësoi se iniciativa është në papajtueshmëri të plotë me Kushtetutën,  vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe me opinionin “Amicus curiae” nr. 524 , të vitit 2009 të Komisionit Europian për Demokracinë, i njohur si Komisioni i Venecias.

Z.Hyseni argumentoi për tej se nismëtarët  nuk kanë përcaktuar në relacion nevojën dhe shkaqet e shtuara nga ato të paraqitura në vitin 2008, (ligj që është shfuqizuar);  ndërkohë që projeligji nuk parashikon një mekanizëm të përshtatshëm që përcakton fajin individual;  përjashton nga zgjedhja  në kundërshtim të hapur me standardet ndërkombëtare sipas të cilave lustracioni nuk duhet zbatuar në funksionet e zgjedhshme, përveçse kur kërkohet nga kandidatët ; nuk përcaktohet një afat kohor lidhur me kohëzgjatjen e masës së lustracionit dhe së fundi kufizon të drejtën e punës dhe të drejtën e aksesit në shërbime publike.  Për të gjitha argumentet e mësipërme, z.Hyseni  kërkoi mos miratimin në parim të projektligjit dhe ftoi deputetët e komisionit të votojnë kundër tij në parim. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni rrëzoi në parim projektligjin në fjalë dhe vendimi do ti përcillet seancës plenare.