Plazhet në Vlorë, Leli: Hapësirat publike shumë herë më tepër se më parë
Transmetuar më 28-05-2020, 15:26

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli foli për sezonin turistik këtë vit në qytetin bregdetar, ku u shpreh se do të shfrytëzohet korriku dhe gushti për turizëm.

Kryebashkiaku foli më tej edhe për plazhet publike, duke qenë se shfrytëzimi i hapësirave për plazh deri tani është vetëm për hotelet.

Leli sqaroi se këtë vit do të ketë hapësira publike për plazhet më shumë se çdo herë tjetër.

Ndërsa shtoi se një përgjigje përfundimtare për këtë çështje do të ketë këto ditë.

“Për plazhet do kem një informacion më të plotë nesër pas takimit që ka bërë nënkryetari në ministrinë e Turizmit. Vlora pavarësisht gjireve të vogla, është qyteti që ka vijën bregdetare më të gjatë të shfrytëzueshme. Do mundohemi që të respektohen distancat.

Hapësirat publike për plazhe do të jenë shumë herë më tepër seç ishin më parë, sepse nuk do të jenë të zëna. Do të jenë plazhe falas. Hotelet do kenë mundësi që të shtojnë numrin e kapaciteteve të tyre. Një përgjigje përfundimtare do të ketë në pak ditë për këtë çështje kaq sensitive”, tha Leli për ABC News.