Transmetuar më 01-06-2020, 11:42
Foto ilustruese

Në tjetër grua në moshë të thyer ka humbur jetën në Spitalin Infektiv Covid 1 në QSUT pasi rezultoi të ishte e infektuar me koronavirus. Lajmi bëhet i ditur për noa.al nga burime brenda këtij spitali ku pacientja ishte shtruar.

Mësohet se gruaja e moshës 76 vjeçe vuante dhe nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Deri tani nuk është e qartë nëse vdekja u shkaktua nga koronavirusi apo ky infeksion shërbeu për të rënduar fatalisht gjendjen e saj.

Ministria e Shëndetësisë, pranoi para pak minutash se në spitalin Covid 1 tek Infektivi në QSUT ka qenë e shtruar një grua 76 vjeçe dhe konfirmoi se ajo ishte e prekur nga koronavirusi.

Megjithatë MSH duke iu referuar Spitalit Infektiv, thotë se gruaja ishte simptomatike për Covid-19. Sakaq MSH nuk shpjegon përse gruaja nga Tirana, u transferua nga shërbimi i mjekësisë interne tek spitali Infektiv ku trajtohen ekskluzivisht të sëmurët e infektuar me koronavirus.

MSH, duke pohuar se e ndjera ishte bartëse e Covid-19, thekson se pacientja “ka ndërruar jetë nga sëmundja e tumorit të pankreasit, me metastaza hepatite. Gjithashtu ajo vuante nga diabeti mellitus dhe insuficiencë kardiake e dekompensuar”.

Edhe dy ditë më parë, një grua 82 vjeçe humbi jetën tek spitali Covid2, Sanatoriumi, pasi rezultoi e infektuar me koronavirus. MSH sërish nuk e publikoi vdekjen e të ndjerës, por kur doli në media, e pranoi atë, duke thënë gjithsesi, se pacientja ishte bartëse e Covid-19 por nuk vdiq prej tij.

Me vdekjen sot të 76-vjeçares, është rasti i shtatë që MSH nuk regjistron të vdekurit e infektuar me koronavirus, si viktima të infeksionit. Të shtatë rastet kanë dalë në media dhe më pas janë pranuar nga MSH si fakte, duke devijuar shkaqet e vdekjeve për sëmundje bashkëshoqëruese. Mjekët thonë se infektimi me koronavirus i disa njerëzve të sëmurë me sëmundje të tjera, mund të ndikojë fatalisht në jetën e tyre.

Aktualisht, MSH thotë se zyrtarisht janë 33 të vdekur nga koronavirusi, por ky numër mund të jetë më i madh, nëse llogariten shtatë rastet e paregjistruara dhe të tjera që nuk kanë dalë në media. /noa.al/