Transmetuar më 26-06-2020, 02:17

Pas një periudhe gati dymujore të qetë, me zero raste të reja koronavirusi, Pekini, kryeqyteti i Kinës, regjistron këto ditë raste të reja dhe numrat janë në rritje. Prej së dielës, kryeqyteti ka konfirmuar 36 raste me COVID-19, të gjitha të lidhura me tregun ushqimor Xinfadi.

Wu Zunyou, kryespecialist i epidemiologjisë pranë Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha për TV shtetëror se burimi mund të jetë te prodhimet e detit ose mishi i kontaminuar në treg, pasi Kina importon shumë prodhime deti, mish viçi dhe mish qengji. Mësohet se njerëzit ishin infektuar përmes ushqimit të ngrirë, njoftoi Televizioni Qendror i Kinës.

"Sa më e ulët të jetë temperatura, aq më gjatë mbijeton virusi. Pasi këto produkte u dërguan në tregun me shumicë në Pekin, njerëzit në treg prekën produktet me duar dhe u infektuan pasi prekën hundën ose sytë", – shpjegoi Wu, duke shtuar se është gjithashtu e mundur që fluksi i njerëzve në treg përhap virusin.

Menaxheri i tregut Xinfadi tha se koronavirusi është zbuluar në dërrasën e prerjes së salmonit të importuar. Një zbulim i tillë nxiti menjëherë frikën e publikut për të ngrënë peshk dhe madje bëri që çmimet të binin.

Profesori Cheng Gong, një ekspert i virologjisë dhe drejtori i Departamentit të Mjekësisë Bazë në Shkollën e Mjekësisë Universitare Tsinghua, shpjegoi se receptorët që infektojnë janë të pranishëm te gjitarët dhe jo te peshku. Sidoqoftë, virusi mund të ketë mbijetuar nga procesi i përpunimit dhe transportit, duke çuar në transmetim, njoftoi China Newsweek.

Cheng theksoi se tregjet e prodhimeve të detit në Kinë shesin jo vetëm prodhime deti, por edhe mish shpendësh dhe ushqime të tjera, duke e bërë të vështirë përcaktimin e origjinës së virusit.

Tani, tregu Xinfadi është mbyllur për dezinfektim dhe hetim të mëtejshëm. Një ekip ekspertësh i dërguar nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë ka nisur punën e kontrollit dhe parandalimit të sëmundjeve në Pekin.

Autoritetet vendore të Pekinit po gjurmojnë ata që kanë qenë në kontakt të ngushtë me tregun prej 30 majit për t’i testuar. Deri tani, nga 76499 teste të acidit nukleik që janë kryer, kanë rezultuar 59 vetë pozitivë me COVID-19.

Para shpërthimit, Pekini nuk kishte raportuar asnjë rast të ri të transmetuar vendor me COVID-19 për afro dy muaj. Nëse konfirmohet pas shqyrtimit se asnjë nga rastet e reja të personave që testuan pozitivë me COVID-19 nuk u infektuan në Pekin, atëherë ka të ngjarë që virusi të ketë hyrë në kryeqytet nga jashtë apo nga vende të tjera në Kinë përmes mallrave të infektuara.

Në kushtet kur pandemia po vazhdon, është ende e nevojshme të kujdesen për higjenën, të mbajnë maskë, të evitojnë vendet me ajrim të dobët dhe të lajnë shpesh duart.

Wu Zunyou, kryeeksperti për epidemiologjinë pranë Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të Kinës, tha se Pekini e ka kontrolluar në thelb epideminë, por bashkia është ende duke hetuar në mënyrë aktive tregjet e mbyllura të mishit dhe peshkut, për të gjurmuar përhapjen e virusit, dhe i kërkon publikut të mbetet vigjilent.