Transmetuar më 26-06-2020, 18:56

OBSH paralajmëron se miliona të tjerë mund të vdesin në një valë të dytë të koronavirusit nëse pandemia rritet përsëri me uljen e temperaturave në shtator.

Paralajmërimi erdhi nga Dr Ranieri Guerra, ndihmës-drejtori i përgjithshëm në OBSH.

Ai e krahasoi COVID-19 me shpërthimin e gripit Spanjoll, që u përhap në më shumë se 100 vjet më parë.

Numri dy i OBSH-së tha se COVID-19 po sillet "saktësisht" si Gripi Spanjoll, i cili shkaktoi në dy vite rreth  50 milionë të vdekur, në botë.

"(Gripi Spanjoll) u zbeh në verë dhe u rikthye  ashpër në shtator dhe tetor," shtoi ai.

Paralajmërimit të tij i bëri jehonë edhe shefja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde.

Ajo tha se mund të ketë një valë të dytë ‘të rëndë’, nëse nuk mësojmë ndonjë gjë nga Gripi Spanjoll.

Paralajmërimi i frikshëm se miliona njerëz në të gjithë botën mund të vdesin, nëse do të ketë një valë të dytë të infeksioneve me koronavirus, nga Organizata Botërore e Shëndetit, vjen pasi Ranieri Guerra,  ndihmës-drejtor i përgjithshëm për iniciativat strategjike në OBSH, tha sot se pandemia është përhapur deri tani ashtu siç e kishin parashikuar zyrtarët shëndetësorë.

Duke krahasuar COVID-19 me shpërthimin e gripit Spanjoll , Guerra tha se pandemia e vjetër ‘rifilloi ashpër’ në shtator dhe tetor – kur temperaturat nisën të bien – pas një periudhe ndërprerjeje prej verës, transemton NOA.al.

Ai i tha televizionit Rai në Itali se "krahasimi bëhet me gripin spanjoll, i cili u soll ashtu si Covid: ra në verë dhe rifilloi ashpër në shtator dhe tetor, duke shkaktuar 50 milion vdekje gjatë valës së dytë."

Ekspertë të sëmundjes infektive, ekonomistë dhe politikanë kanë ngritur shqetësimin për një valë të dytë të infeksioneve me koronavirus në Shtetet e Bashkuara, që mund të përkeqësohen në muajt e ardhshëm.

Por disa, përfshirë doktorin Anthony Fauci, eksperti kryesor i qeverisë amerikane për sëmundjet infektive, thonë se është shumë shpejt për të diskutuar një valë të dytë, më një kohë kur Shtetet e Bashkuara nuk kanë dalë ende nga një valë e parë, në të cilën më shumë se 120,000 njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 2.3 milionë amerikanë janë konfirmuar të infektuar me koronavirusin e ri.

Në shfaqjen e sëmundjes infektive, valët e infeksionit përshkruajnë kurbën e një shpërthimi të mundshëm, duke reflektuar një rritje dhe rënie të numrit të rasteve.

Me infeksione virale të tilla si gripi ose ftohja e zakonshme, rastet zakonisht kulmojnë gjatë muajve të ftohtë të dimrit dhe përsëriten pas motit të ngrohtë.

Frika për një valë të dytë të COVID-19, sëmundje e frymëmarrjes të shkaktuar nga koronavirusi, rrjedh pjesërisht nga trajektorja e pandemisë së gripit spanjoll të 1918-1919, që infektoi 500 milion njerëz në të gjithë botën dhe vrau rreth 20 deri 50 milion njerëz. Virusi u shfaq për herë të parë në pranverën e vitit 1918, por duket se është mutuar përsëri në vjeshtë, duke e bërë valën e dytë edhe më vdekjeprurëse.

Epidemiologët thonë se nuk ka një përcaktim zyrtar të një vale të dytë.

Ata e përcaktojnë atë, vetëm kur ta shohin.

Ndryshe nga disa vende në Evropë dhe Azi, Shtetet e Bashkuara kurrë nuk pësuan një rënie dramatike të rasteve që të shënonin fundin e qartë të një valë të parë.

Tani ka rreth 20,000 raste të reja në SHBA çdo ditë.

Edhe Suedia, vendi skandinav që nuk praktikoi izolimin, po raporton një numët të lartë të vdekjeve.

"Kemi një rritje të rasteve, sepse kemi filluar të testojmë shumë më tepër në Suedi javën e kaluar," tha epidemiologu shtetëror suedez Anders Tegnell, duke shtuar se ‘të gjithë parametrat e tjerë’ treguan se numri i rasteve serioze po binte.

Në Britani, njerëzve u kërkohet të zbatonin rregullat e distancës sociale, pasi dhjetëra mijëra pushtuan vendpushimet bregdetare të Bournemouth gjatë ditëve të nxehta.

Policia kritikoi gjithashtu tifozët që u mblodhën në Anfield të Liverpoolit të enjten në mbrëmje, pasi klubi i tyre siguroi titullin e futbollit në Premier League për herë të parë në 30 vjet.

Kryeministri britanik Boris Johnson tha se njerëzit po shpërfillin udhëzimet.

Britania ka numrin më të lartë të vdekjeve në Evropë, 43.230.

Ndërkohë, Ukraina raportoi një rritje rekord në rastet e koronavirusit, ndërsa autoritetet paralajmëruan se bllokimet mund të vendoseshin përsëri, nëse njerëzit vazhdojnë të mos respektojnë kufizimet.

Në Australi, supermarketet vendosën kufijtë e blerjes së letrave higjienike në të gjithë vendin të premten, pas panikut nga njerëz të tronditur, lidhur me një rritje të rasteve të koronavirusit në Melburn, qyteti i dytë më i madh në vend.

Ndërkohë, bota pret një vaksinë ose trajtim të virusit për të cilin autoritetet thonë se ka të ngjarë të realizohet të paktën në fillim të vitit të ardhshëm dhe ndoshta më gjatë.

OBSH tha se ka një iniciativë globale për të shpejtuar zhvillimin e testeve, trajtimeve dhe vaksinave, por ajo do të kërkonte më shumë se 30 miliardë dollarë gjatë vitit të ardhshëm – nga të cilat pak më shumë se një e dhjeta ishin zotuar se do të financonin një shifër të tillë.

Por lajm i mirë është se më pak se një në njëqind e fëmijëve që testohen pozitivë me COVID-19 humb jetën, edhe pse kjo në një përqindje e vogël, por e rëndësishme, sipas një studimi të ri të udhëhequr nga ekspertë në Britani, Austri dhe Spanjë.

/NOA.al