Transmetuar më 28-06-2020, 23:22

Banorët e të gjithë kontinenteve tashmë janë duke u përballur me pandeminë, ndërkohë që gara për një vaksinë anti-COVID-19 po hyn në një verë përcaktuese, me studime edhe më të mëdha, të gatshme për të vërtetuar nëse ndonjëra prej tyre me të vërtetë do të funksionojë dhe të mund të ofrojë një kontroll të realitetit të ri COVID-19.

Tashmë studiuesit britanikë dhe kinezë po ndjekin koronavirusin përtej kufijve të tyre, duke testuar vaksina të mundshme në Brazil dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi ka shumë pak infeksione të reja në Angli dhe Kinë për të marrë përgjigje të qarta.

SHBA është e vendosur që të nisë testimet më të mëdha – 30,000 njerëz për të provuar një vaksinë të krijuar nga qeveria dhe kjo nis duke filluar nga korriku, pasuar nga 30,000 të tjerë që pritet të testohen nga britanikët.

“Vaksinat do të injektohen tek amerikanët dhe vullnetarë në vende të tjera si Brazili ose Afrika e Jugut”, tha dr. Anthony Fauci nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për Associated Press.

"Kjo nuk është një garë se kush e nxjerr i pari vaksinën. Kjo është, merrni sa më shumë vaksina të aprovuara, të sigurta dhe efektive që të keni mundësi ”, tha Fauci.

Ekspertët e vaksinave thonë se është koha që të përballen me pritshmëritë e publikut. Sepse shumë shkencëtarë nuk presin që një vaksinë e koronavirusit të jetë pothuajse po aq mbrojtëse sa vaksina kundër fruthit.

“Nëse vaksina më e mirë COVID-19 është vetëm 50% efektive, "kjo është akoma për mua një vaksinë e shkëlqyeshme," tha dr. Drew Weissman nga Universiteti i Pensilvania.

"Ne duhet të fillojmë ta themi këtë tani, kështu që njerëzit nuk do të habiten”, shtoi ai.

Dhe për të gjitha premtimet e qeverisë për grumbullimin e dozave me shpresën për të filluar vaksinimet deri në fund të vitit, këtu fillon problemi: Edhe nëse një vaksinë krijohet – vetëm disa njerëz me rrezik të lartë, siç janë punonjësit shëndetësorë, do të jenë në krye të një radhe shumë të gjatë për marrjen e saj.

“A do të vaksinohem unë këtë vit? Në asnjë mënyrë",- tha ekonomisti shëndetësor i Universitetit Duke David Ridley.

Vaksinat stërvisin trupin që të njohë me shpejtësi dhe të shkatërrojë mikrobet pushtues. Rreth 15 vaksina eksperimentale COVID-19 janë në faza të ndryshme të studimeve njerëzore në të gjithë botën.

“Pasi çdo vaksinë funksionon ndryshe, ne nuk e dimë ende se cilin grup të popullatës do të mbrojë," tha dr. Mariangela Simao nga Organizata Botërore e Shëndetit, e cila po këshillon vendet se si të zgjedhin.