Transmetuar më 01-07-2020, 00:45

Irani ka nxjerrë një urdhër arresti për presidentin e ShBA-së Donald Trump dhe ka kërkuar ndihmën e Interpolit për ta ndaluar atë lidhur me sulmin me dron që vrau një gjeneral të lartë iranian në Bagdad.

Prokurori Ali Alqasimehr thotë se Trump-i dhe më shumë se 30 të tjerë, akuzohen për vrasje dhe terrorizëm lidhur me goditjen e 3 janarit, që vrau gjeneralin Qassem Soleimani në aeroportin e Bagdadit:

"Ne kemi identifikuar 36 veta që urdhëruan vrasjen e Qassem Soleimanit dhe shokëve të tij, ose bashkëpunuan dhe ndihmuan në këtë veprim terrorist. Ne kemi nxjerrë një urdhër arresti dhe i kemi kërkuar ‘Interpolit’ të ndihmojë në arrestimin."

Akuzat tregojnë ngritjen e tensioneve midis Teheranit dhe Uashingtonit që kur Trump-i i tërhoqi në mënyrë të njëanshme Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e Iranit me fuqitë botërore.

Duke folur nga Arabia Saudite, përfaqësuesi i posaçëm amerikan për Iranin Brian Hook tha të hënën se veprimi i Iranit ishte një truk propagandistik që askush nuk e merr seriozisht.

ShBA-ja i vrau Soleimanin, kreun e forcave kuds të Gardës Revolucionare, dhe disa të tjerë në janar pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit.