Goditja më e shtrenjtë në histori, Napoli i “shënon nga distanca” Liverpulit
Transmetuar më 01-07-2020, 16:35

Talenti nigerian Victor Osimhen ka mbërritur sot në Napoli, ku është pritur nga trajneri Genaro Gattuso.  Ishte pikërisht ish-lojtari dhe trajneri i njohur i Milan, i cili e telefonoi personalisht për ta bindur të pranojë transferimin, gjatë kohës së ndërprerjes së futbollit, për shkak të pandemisë.

Osimhen është blerja e parë e verës për skuadrën e Napolit dhe njëkohësisht më e shtrenjta në histori, pasi për kartonin e tij Aurelio De Laurentiis, sipas mediave italiane, ka shpenzuar plot 50 milionë euro.

Liverpool dhe Jurgen Klop shpresonin që ky lojtar të ishte pjesë e tyre, megjithatë pritet ende zyrtarizimi.

Sulmuesi 22-vjeçar thuhet se ka shkuar për të kryer vizitat mjekësore me Napolin. Më pas, ai pritet të hedhë firmën mbi një kontratë 5-vjeçare, ku do të përfitojë rreth 2.5 milionë euro në sezon.

Victor Osimhen spikati këtë sezon me fanellën e francezëve të Lille, ku në 27 ndeshje arriti të shënojë 13 gola. Ai tërheqi vëmendjen e shumë klubeve europiane, por ka qenë pikërisht ndërhyrja personale e Gattusos, që e ka bindur të transferohet në Napoli.

Sulmuesi 22-vjeçar shquhet për cilësitë teknike dhe forcën e madhe fizike, ndërsa trajneri i Nigerisë Gernot Rohr e ka krahasuar me Didier Drogba për nga aftësitë që disponon dhe mënyra e lojës.

Blerja më e shtrenjtë e Napolit para se të arrihej marrëveshja për blerjen e Osimhen, ka qenë meksikani Hirving Lozano, për të cilin iu paguan 42 milionë euro vitin e kaluar PSV Eind’hoven.

/NOA.al

Loading...