Transmetuar më 01-07-2020, 19:19

Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme miratimin e fondit prej 360 milionë lekësh për rregullimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i vitit të kaluar.

Këto para shkojnë për riparimet e dëmeve për banesa individuale dhe njësi banimi.

Kategoria e banesave që do t’i nënshtrohet rikonstruksionit janë ato të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para.

Financimet do të jepen për banesat që ndodhen në Bashkinë e Mirditës, Vorës dhe Rrogozhinës.

“Efekti financiar, të përballohet nga pjesa e financuar nga grantet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2020, dhe t’u kalojë bashkive Mirditë, Vorë dhe Rrogozhinë, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Mirditë i transferohet fondi prej 29 820 000 (njëzet e nëntë milionë e tetëqind e njëzet mijë) lekësh; b) Bashkisë Vorë i transferohet fondi prej 176 250 000 (njëqind e shtatëdhjetë e gjashtë milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë) lekësh; c) Bashkisë Rrogozhinë i transferohet fondi prej 110 900 000 (njëqind e dhjetë milionë e nëntëqind mijë) lekësh”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. /k.k/noa.al/