Transmetuar më 02-07-2020, 15:13

Publikohen katër emrat e radhës për të cilët OFL kërkon verifikimin e pasurisë së tyre.

Ata janë, Eduart dhe Hakim Xhezo (vëllezer), Gentjan Dautaj dhe Divid Islamaj.

Të gjithë do të duhet që të provojnë origjinën për pasuritë që posedojnë.

Por kush janë katër të “shigjetuarit” e radhës?

Eduart Xhika, banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Hakim Xhezo, banues në Vlorë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve";

Gentjan Dautaj, banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Vrasja në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë;

Divid Islamaj, banues në Vlorë, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për kryerjen e veprës penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve";

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë. /k.k/noa.al/