Transmetuar më 02-07-2020, 17:02

Pesë persona janë arrestuar nga autoritetet policore në Durrës, si dhe u sekuestruan sasi droge, marijuanë dhe kokainë.

Konkretisht, të prangosurit po transportonin drogë nga Vlora në drejtim të Tiranës, ku u sekuestruan 20 kilogramë lëndë e dyshuar marijuanë, një sasi kokaine, ekstazi, fara kanabisi për kultivim, 5 aparate celularë dhe 2 automjete.

Në aksin rrugor Kavajë-Durrës, në segmentin e quajtur "Plepat", shërbimet e Policisë kanë evidentuar dy mjete.

Njëri nga mjetet qarkullonte në një distancë rreth 1 kilometër larg nga mjeti tjetër, me qëllim sinjalizmin e personave që ndodheshin në mjetin tjetër që transportonte lëndën narkotike.

Të ndaluarit janë, A. Ll., 33 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, N. L, 35 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, A. M., 47 vjeç, lindur në Vlorë, A. P., 34 vjeç, lindur Fier dhe banues në Tiranë dhe E. B., 38 vjeç, lindur e banues në  Tiranë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Golf” që drejtohej nga shtetasi A. Ll., u gjetën dhe u sekuestruan rreth 20 kg lëndë narkotike e dyshuar marijuanë.

Gjithashtu u sekuestrua edhe automjeti tip “Passat” me drejtues shtetasin A. M. dhe pasagjerë shtetasit E. B., A. P. dhe N. L., i cili shërbente për të kontrolluar nëse kishte punonjës policie apo pika kontrolli në rrugë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. Ll., u gjetën dhe u sekuestruan një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë, disa fara cannabis sativa dhe një sasi ekstazi.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për verime të mëtejshme. /k.k/noa.al/