Transmetuar më 03-07-2020, 21:29

Pas reagimeve të shumta, edhe përfaqësuesit e Dëshmitarëve grekë të Jehovait kanë mohuar që nënë e bijë të gjetura të vdekura në një apartament në Tiranë, t’i përkisnin fesë së tyre, apo të ketë pasur ndikim sekti që ata përfaqësojnë.

Së bashku me dy viktimat, Zhaneta Josifi, 56 vjeç dhe vajza Anisa Josifi 30 vjeç, në gjendje të rëndë u gjet edhe vajza tjetër e familjes, Blerta Josifi, 34-vjeçe, e cila ndonëse në gjendje të rëndë tashmë është duke marrë trajtim mjekësor.

Mediat raportojnë se sipas shërbimit mjeko-ligjor, 30-vjeçarja, Anisa Josifi, ish-studente në universitet, kishte vdekur të paktën 15 muaj, para se të konstatohej ngjarja e rëndë dhe nëna dhe motra e mbanin të mbuluar në krevat, duke pritur “ringjalljen” e saj.

Që në fillim, u përfol për vetëflijimin e dëshmitareve të Jehovait, por organizatat e tyre në Tiranë dhe Athinë mohuan që gratë kishin ndonjë lidhje me bashkësinë e tyre.

“Ne duam t’ju informojmë zyrtarisht se asnjëra prej dy grave që kanë kryer vetëvrasje nuk i përkisnin bashkësisë sonë fetare dhe as nuk kishin ndonjë lidhje me të. Mbi të gjitha, vetëvrasja nuk është për asnjë arsye e justifikuar nga feja e Dëshmitarëve të Jehovait", thuhet në komunikatën e Dëshmitarëve grekë të Jehovait.

"Mësimet e Biblës bazohen në respektin më të madh të jetës njerëzore dhe askund te vetëvrasja, si diçka e bekuar nga Zoti. Është bindja jonë e thellë që Perëndia kurrë nuk do t’i kërkonte askujt që t’i japë fund jetës së tij, sepse jeta është e shenjtë për të!” – sqaron në deklaratë nga komuniteti grek i Dëshmitarëve të Jehovait, pas ngjarjes tragjike në vendin tonë.

/NOA.al