Transmetuar më 09-07-2020, 20:03

Në një qytet të vogël ku të gjithë i njohin të gjithë, gazetari Bledi Mane tha se e ka njohur mirë familjen Josifi, teksa e përshkruan atë si një familje model në Përmet.

Duke u kthyer shumë pas në kohë, Bledi Mane, thotë se pika e kthesës në familjen e tyre ishte vetëvrasja e babait.

Kurrsesi vdekjen e tij nuk e lidh me fenë, por rrëfen se ai zgjodhi që të largohej në mënyrë tragjike nga jeta për shkak të opinionit të njerëzve, pasi humbi njërin krah.

"Vijmë nga e njëjta zonë. Provincat kanë qenë një familje model, kishin dy vajza shumë të arsimuara, të lexuara, të diplomuara njëra për inxhinieri elektronike tjetra shkenca ekonomike, përfunduan besimtare të verbëra. Shkeca u vu poshtë nga besimi i errët, që ndodh rrallë", tregoi ai.

"Është një humbje e dyfishtë se kanë humbur në mënyrë çnjerëzore dhe komunitetit do t’i mungojnë. Vdekja e babait të tyre ka goditur fort delikatesën femërore ose qetësinë në familje. Ajo që quhet "figura e babait" një njeri që qëndron në krye të familjes, jo që komandon, por drejton, dhe beson se e ndjera ka bërë edhe rolin e babait".

"Teprica e një nëne të tillë, në kuptimin që rajoni i Korçës, Kolonja, Përmeti ka shumë femra të forta, por edhe posesive. Femra që duan të komandojnë financat, që duan të zgjedhin të drejtat e studimit për fëmijët madje edhe partnerit. Modeli grek i prindërimit. Nënat në atë rajon duan të kontrollojnë, të jenë "Big Brother të fëmijëve të tyre. Babai ishte një mësues i nderuar, por fatkeqësia që i kishte ndodhur në jetë, gjymtimi i krahu dhe jetesa në një provincë ku bulizmi ishte i përmasave të frikshme, mësuesi të shkonte para nxënësve me një krah, mendoni sa dramatike ka qenë në vitet 90, ngarkesa emocionale e ka detyruar të vetëflijohet. S’ka pasur asnjë lidhje me dëshmitarët e Jehovait, janë familje ortodokse, kanë qenë brenda një besimi normal", tregon Mane sot i ftuar në Report Tv.

Largimi pas vetëvrasjes së babait drejt Tiranës kryeqytet, ku njerëzit janë më mëndje hapur të paktën "në teori", nuk ndryshoi asgjë, sipas Manes në jetën e tri vajzave të familjes Josifi. Ai thotë se dhe këtu në Tiranë, vajzat nuk arritën që të gjenin veten, që për të, i ka bërë të distancohen nga njerëzit.

"Në Tiranë, fisi i ka ndihmuar shumë ekonomikisht, fillimisht banesa ishte me qira, pastaj e kanë blerë në Kombinat,  por besoj se nuk gjetën veten, janë ndjerë të izoluara, janë ndjerë qytetare të dorës së dytë dhe besoj këtu fillon drama. Ato vajza të brishta të mirëarsimuara, të edukuara, madje u largua dhe nga puna ku ishte inxhiniere elektronike teprimi i besimit fetar ka rrezatuar edhe në marrëdhënie të punës që e larguan. Shkuan nga tragjedia në tragjedi, marrëdhënia me nënën ka qenë shumë e fortë dhe komanduese", përfundon Mane.

Tragjedia e 2 korrikut tronditi opinionin publik. Nënë e bijë, Zhaneta dhe Anisa Josifi u gjetën të vdekura në shtëpi, ndërsa Blerta ndodhet në spital në gjendje të rënduar. Në dëshminë e kësaj të fundit, Anisa kishte vdekur më 27 prill 2019, ose 15 muaj më parë, kurse  ajo dhe nëna e saj po bënin sakrifica për ringjalljen e Anisës që kishin lexuar në librat fetare. Ato para 15 vitesh kishin qenë pjesë e Kishës Ungjillore, por prej 6 vitesh nuk shkonin më dhe ritet fetare i kryenin në shtëpi.

Në reagimin e Kishës Ungjillore, ato theksonin se çdo fe beson në ringjallje, por kurrsesi nuk predikojnë vetëvrasjen. Për pastorët e Kishën Ungjillore Fitor Muça dhe Akil Pano, pas tyre fshihen sekte satanike.

Sakaq, e ëma e dy vajzave kishte ndërruar jetë disa ditë para se ajo bashkë me të bijën u gjetën nga policia të pajeta brenda në banesën e tyre, në zonën e Kombinatit, Tiranë.

/NOA.al