Transmetuar më 09-07-2020, 20:51

Libri i akademikut dhe Profesorit të njohur Rexhep Qosja, pa u bërë publik, bëri jehonë në media pasi për vlerësimin që i bëhej figurës së Enver Hoxhës.

Pak ditë më parë, në përvjetorin e 84-t të ditëlindjes së akademikut të njohur Rexhep Qosja, doli nga shtypi romani i tij më i ri nën titullin intrigues “Të fshehtat e treguara”.

“Enver Hoxha dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu janë dy politikanët, shtetarët dhe atdhetarët më të mëdhenj në historinë e popullit shqiptar”, ishin disa nga rreshtat në librin që ndezi debate.

E përditshmja “Dita” dhe faqja në Facebook “Enveristët e Bashkuar” bënë fillimisht publike fragmente nga autorë që përmenden në librin e Qosjes, për Enver Hoxhën.

“I pashmangshëm emri i tij në historinë e Shqipërisë!… Ose do e lënë Shqipërinë pa histori… ose emri i tij do jetë shkruar kudo?! E pamundur shmangia!”, ka qenë përfundimi që ka nxjerrë Rexhep Qosja, duke i dhënë kësisoj vlerë figurës së tij historike.

Në këtë libër, akademiku i ka kushtuar disa pjesë figurës së Enver Hoxhës, duke sjellë edhe biseda me intelektualë shqiptarë. Mes tyre ai përmend bisedën që kishte me një profesor të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në njërën prej dhomave për të izoluarit, gjatë regjimit serb, Nimet Kalludra, tani banor i kryeqytetit të Kosovës, por i lindur në Zadrimë të Shqipërisë e i dërguar në Kosovë e Metohi në kohën e Shqipërisë së Madhe, me 28 nëntor të vitit 1941.

Lidhur me debatet Rexhep Qosja i ka shkruar gazetares Rudina Xhunga, të cilës i ka dërguar edhe romanin me nënshkrimin e tij.

Ai sqaron se dikë tjetër ka përmendur të flasë për Enver Hoxhën në libër. "Çka e si mendoj unë për Enver Hoxhën, unë si autor i këtij romani është punë e imja. Por ato që thuhen në roman për Enver Hoxhën janë: e para, mendimet e një personazhi të burgosur prej UDB-së serbe; dhe e dyta, mendimet e protagonistit për të cilin në roman shkruhet "Postskriptum", thotë Rexhep Qosja.

"Shqiptarët sot," shpjegon ai, "për dallim prej popujve të tjerë të cilët prijësit e mëdhenj të komunizmit ia kanë lënë historisë, vazhdojnë të merren pandërprerë me Enver Hoxhën dhe i ngarkojmë në shpinë të bëra e të pabëra, jo vetëm ato që janë bërë prej tij, por edhe ato që janë bërë prej servilëve të shumtë të diktaturës të cilët sot adhurohen, festohen, shpërblehen në institucionet tona shtetërore e në mediat tona të shumta, të dobishmet e të dëmshmet".

Reagimi i plotë i Rexhep Qosjes:

Pata kënaqësi t’jua dërgoj romanin tim me dëshirë që të mos jetë i fundit. Në këtë roman janë bashkuar dy gjini letrare, drama dhe proza. Në të shprehen pikëpamjet e mija për romanin si lloj letrar e mendimor universal. Në të janë prirja e romanit të sotëm që të jetë gjithnjë e më dokumentar, gjithnjë e më filozofik, gjithnjë e më eseistik, ashtu siç është filozofia e sotme gjithnjë e më letrare.

Romani është shkruar me lloje të ndryshme letrare. Në roman jam përpjekur të paraqes disa plage të historisë dhe disa plage të të përtashmes sonë të sotme. Si plagë të historisë kam paraqitur figurshëm varësinë e një pjesë të shpirtësisë sonë nga ideologjitë e dikurshme të Romës, të Athinës e Stambollit. Si plagë të së përtashmes sonë kam paraqitur shpërfytyrimet e shumëllojshme, zhvatjet, vjedhjet, plaçkitjet, uzurpimet, eksploatimet, arrogancat, poshtërsitë e ndotësitë në jetën tonë politike, shoqërore e kundërkulturore. Dhe të mos e harroj edhe një plagë shumë dhembjesjellëse: shpërfilljen e kulturës në përgjithësi e krijuesve të saj në veçanti, të atyre që krijojnë e saktësojnë shpirtërisht identitetin tonë kombëtar, e shpërfillja e asaj kulture e atyre krijuesve është shpërfillje e të sotmes dhe e ardhmërisë sonë.

Pronaret e disa medieve dhe gazetarët e tyre e kanë keqtrajtuar romanin tim, nuk e di vetëdijshëm a pavetëdijshëm. Them kështu sepse ata kanë identifikuar mendimet dhe ndjenjat e autorit me mendimet dhe ndjenjat e personazheve, çka nuk lejohet as në teoritë letrare, as në etiken e lexuesve. Çka e si mendoj unë për Enver Hoxhën, unë si autor i këtij romani është punë e imja. Por ato që thuhen në roman për Enver Hoxhën janë: e para, mendimet e një personazhi të burgosur prej UDB-së serbe; dhe e dyta, mendimet e protagonistit për të cilin në roman shkruhet "Postskriptum".

Gjithmonë kam menduar dhe natyrisht mendoj edhe tani, në fund të jetës, se shkrimtari s’duhet ta ulë nivelin e shkrimeve për hir të një pjese të lexuesve, por të synojë t’i ngrisë lexuesit në nivele të letërsisë së ngritur.

Në fund ju, Rudina Xhunga, dëshiroj t’ju them edhe diçka që mund ta supozoni apo edhe mund ta dini, qoftë edhe pse kam pasur shumë intervista me ju.

Unë nuk kam shkruar për Enver Hoxhën derisa ishte gjallë as si personalitet historik, as si personalitet privat, ashtu siç nuk kam shkruar as për Josip Broz Titon sa ishte gjallë as si personalitet historik, as si personalitet privat. Unë për të gjallë të tyre kam shkruar mospajtueshëm me diktaturat e tyre dhe kam qenë dhe jam i vetëdijshëm se diktaturat aq sa ishin prodhim i tyre, aq më shumë ishin prodhim i servileve të tyre, i shërbëtoreve të tyre, i puthadorëve e puthakëmbësve të tyre në mesin e të cilëve ishin jo pak shkrimtarë, studiues shkencorë, "filozofë", regjisorë, krijues e artistë të tjerë. Shqiptarët sot, për dallim prej popujve të tjerë të cilët prijësit e mëdhenj të komunizmit ia kanë lënë historisë, vazhdojnë të merren pandërprerë me Enver Hoxhën dhe i ngarkojmë në shpinë të bëra e të pabëra, jo vetëm ato që janë bërë prej tij, por edhe ato që janë bërë prej servilëve të shumtë të diktaturës të cilët sot adhurohen, festohen, shpërblehen në institucionet tona shtetërore e në mediat tona të shumta, të dobishmet e të dëmshmet.

Kjo është një temë për të cilën tani për tani s’dua të shkruaj, se kemi halle më të mëdha, por do të shkruaj një ditë. Me përzemërsi, si gjithmonë ndaj jush e ndaj familjes suaj të çmuar e të dashur!

Juaji Rexhep Qosja!

/NOA.al