Transmetuar më 09-07-2020, 22:53

Në emisionin Opinion në Tv Klan janë publikuar pamjet me të cilat u përballën mbrëmjen e 2 Korrikut zjarrfikësit, të cilët u futën në shtëpinë e familjes Josifi në zonën e Kombinatit, ku gjetën të vdekura nënë e bijë dhe vajzën tjetër në gjendje të rëndë.

Gazetari Spartak Koka ka siguruar këto pamje të cilat publikohen për herë të parë, që tregojnë dhomën ku prej 15 muajsh, 30-vjeçarja Anisa Josifi qëndronte e vdekur në shtrat.

Për trupin e saj të dekompozuar, kujdeseshin nëna e saj Zhaneta 56-vjeçe dhe motra Blerta, 34-vjeçe.

Siç mund të dallohet nga pamjet, Anisa dergjej në shtratin e vdekjes e mbuluar me jorgan.

Pranë saj ndodhet një ventilator, të cilin nënë e bijë e përdornin për të larguar erën, ndërsa një karrige qëndron pranë trupit të saj, aty ku Zhaneta dhe Blerta, me gjasë uleshin e kryenin lutjet që 30-vjeçarja të ringjallej. Gjithçka tjetër në dhomë duket mëse normale.

Sendet qëndrojnë aty ku me gjasë Anisa i mbante edhe kur ishte gjallë dhe e gjithë dhoma duket e rregullt, si për të na treguar se Zhaneta dhe Blerta besonin vërtetë se 30-vjeçarja do të rikthehej në jetë./tvklan.al